UDHËZIMI/ Si do të vilet taksa e ndërtesës për objektet që nuk përfundojnë në afat

schedule09:11 - 21 Nëntor, 2019

schedule 09:11 - 21 Nëntor, 2019

Ministria e Financave ka lëshuar një udhëzues me të cilin sqarohen bashkitë në të gjithë vendin se si të vjelin taksën e infrastrukturës dhe ndërtesës në rastet kur objektet nuk kanë përfunduar sipas afateve në lejen e ndërtimit.

Udhëzimi thotë se, për ndërtesat e pajisura me leje ndërtimi, që nuk kanë arritur të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar në aktin e miratimi të lejes së ndërtimit, si bazë për llogaritjen e taksës mbi ndërtesën/njësinë pronësore shërben kostoja e parashikuar e ndërtimit, sipas dokumentacionit të depozituar pranë NJVV apo KKT për qëllime të pajisjes me leje ndërtimi.

Në rastin kur ndërtesa përbëhet nga një njësi e vetme pronësore me vetëm një destinacion përdorimi, pavarësisht prej fazës në të cilën ndodhet ndërtimi, si bazë e taksës për të gjithë ndërtesën përdoret kostoja e parashikuar në lejen e ndërtimit.

Mbi këtë bazë më pas aplikohet 30% i shkallës së taksës sipas përdorimit, pra për banim apo veprimtari tregtare.

Në rastet kur ndërtesa e papërfunduar, pavarësisht nga faza në të cilën ndodhet ndërtimit, përbëhet nga më shumë së një njësi pronësore që kanë qëllime të ndryshme përdorimi apo do të transferohen në pronësi të më shumë së një përdoruesi, atëherë si bazë e taksës përsëri shërben kostoja e plotë e ndërtimit të të gjitha njësive.

Shkalla e taksës së aplikueshme mbi këtë bazë takse do të variojë sipas destinacionit të përdorimit të secilës njësi pronësore, pra 30% e shkallës së taksës prej 0,05% mbi koston e secilës njësi pronësore të destinuar për banim dhe 30% e shkallës së taksës prej 0,02% mbi koston e secilës njësi pronësore të destinuar për veprimtari tregtare.

Kur zhvilluesi ka lidhur kontrata për tjetërsimin e pronësisë së ndërtesës së papërfunduar po njësive pronësore që përbëjnë këtë të fundit, si bazë për efekt të llogaritjes së taksës shërbejnë kontratat e shitjes së ndërtesës apo njësive të veçanta pronësore (pra, jo më kostoja e ndërtimit). Vlerat e paraqitura në kontratat për transferimin e pronësisë, në çdo rast i nënshtrohen gjithashtu vlerësimit me çmimin vlerësues, siç detajohet në seksionet pararendëse, dhe si bazë e taksës përdoret vlera më e lartë.

Kur nga verifikimet në terren të ATV konstatohet së ndërtesa apo pjesë të saj janë vënë në përdorim megjithëse ndërtesa nuk ka përfunduar në tërësinë e saj, baza e taksës llogaritet e plotë për pjesën e vënë në përdorim pra jo më me kosto, dhe shkalla e taksës aplikohet e plotë sipas kategorisë së ndërtesës/njësisë pronësore, pra jo më e reduktuar në 30% të shkallës së taksës. Të njëjtat rregulla vlejnë edhe nëse për ndërtesën nuk është dhënë ende leja e shfrytëzimit apo nëse nuk është bërë ende regjistrimi pranë ASHK/ZVRPP.

Bazuar në sa më sipër, taksa paguhet nga zhvilluesi, me përjashtim të rasteve kur ndërtesa apo njësi të veçanta të saj janë vënë në përdorim dhe kur detyrimi për pagesën e taksës i takon përdoruesit. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!