Dekada me peshkim. Në çdo shtëpi ka një peshkatar. Ky është zanati kryesor i banorëve të Ishull Lezhës, i trashëguar me fanatizëm nga brezi në brez.
Fshati ndahet nga qyteti vetëm nga Lumi Drin dhe ndodhet mes lagunave. Banoret e Ishull Lezhë thërriten “ishllakët”.
Ata jo vetëm peshkojnë por e gatuajnë mirë këtë produkt. Disa dhoma në shtëpitë e peshkatarëve janë shndërruar në bujtina, të tjerë kanë ndërtuar dhe këto kioska druri për të pritur turistë të cilëve ju serviret peshk i freskët.
Në to nuk ka emra reklamues se reklama është vetë peshku. Ne vizituan “Lagjen Hoteli”, e cila e mori emrin këtë emër shumë vite më parë, pasi këtu dikur ishte ngritur një hotel për gjuetarët.
Janë rreth 30 bujtina të shtrira një distancë jo më shumë se 2 km në mes të lagunave Kunes dhe Vainit, në një zonë me afro 300 banorë. Peshkatarët profesionistë rrëfejnë eksperiencat e tyre të larmishme.
Gjon Loshi mësoi që fëmijë të peshkojë nga i ati.
“Unë kam 32 vite në këtë zanat dhe me shumë e kam për qejf. E kam në gen sepse babai dhe xhaxhai kanë qenë peshkatarë. Ky është një profesion i lirë”, shprehet ai.
Kreu dhe arsim të lartë për mësuesi po pasioni për të ndjekur zanatin e trashëguar bëri që ta braktisur. Për këtë vendim e quajtën deri diku dhe të çmendur.
“Braktisa mësuesinë për tu marrë me peshkim. Kur ika nga arsimi të gjithë më thanë i çmendur”, tregon ai.
Jo vetëm gjuan peshk por e konsumon sistematikisht pasi I njeh mirë vlerat e paçmueshme ushqimore.
“Një herë në ditë dua ose peshk ose ngjale, por mundohem të kemi gjithmonë. Nuk bëhet fjalë që në një shtëpi peshkatari të mos gjesh peshk. Unë nuk mbaj e kurrë peshkun në frigorifer”, thotë Gjoni.
Nuk parashikon dot fundin.
“Nuk e di sa do vazhdoj me peshkimin, por sa të kem forcë. Nëse s’do dal më në lagunë I organizuar do dal në det”.
Si të gjithë peshkatarët dhe Demush Zeqja ka historinë e tij. Është fanatik në pasionin e tij aq as mjetet e vjetra të peshkimit të parëve I ka ruajtur.
“Kjo ishte mënyra për të jetuar ne ato kohe, por ishte edhe vete zona që e mundësonte diçka të tillë. Kjo është zgjidhja që kanë bërë vendasit dhe është një traditë e të parëve që vazhdon.
I mbaj materialet e tyre prej vitesh ne shtëpi më shumë si muze dhe thjesht t’i kem”.
Kush nuk ka restorant ndihmon peshkatarët e tjerë. Ja u blejnë peshkun dhe e gatuajnë për vizitorët.
“Shumë restorante e gjuajnë vetë peshkun dhe e shërbejnë, të tjerët ua blejnë peshkatarëve.
Këtu mund të gjesh peshk edhe për të blerë, por vetëm tek artizanalet që dalin në mënyrë individuale. Peshku i Lagunës është më i miri, ndaj kërko gjithmonë qefull, levrek e ngjalë”.
Përgjithësisht peshku këtu vetëm piqet dhe nuk përzihet me asgjë tjetër që të mos humbin vlerat ushqyese.
“Këtu piqet peshk i mire. Lokalet qe pjekin peshkun e kane mësuar nga peshkatarët. Ai është pjekur gjithnjë pa përdorur asgjë. Tradicionale e jona, peshkatarëve është peshku i pjekur”.
Peshqit e Lagunave kanë një veçanti. Ata piqen dhe nuk digjen për shkak të yndyrës në nivele të larta që ka.
“Piqet shume mire se është i yndyrshëm dhe nuk digjet, piqet direkt ne zjarr pa asnjë mbrojtje”.
Prej konsumimit të shpeshtë të peshkut këta peshkatarë dhe familjarët e tyre janë të shëndetshëm.
Arlind Kolecaj fillimisht peshkimin e nisi si sport dhe për t’u argëtuar. Por më pas duke ndjekur rrënjët, trashëgimia e përsosi.
“Gjuetia është një sport i bukur edhe këtu e kemi si trashëgimi. Lindur e rritur me këtë punë”
Parapëlqen të peshkojë me grep dhe për këtë ka një arsye.
“Gjuetia më e bukur është me grep edhe pse unë i kam të gjitha. Ka adrenalinë më vete dhe unë e konsideroj anti-stres. Me peshkim nuk mërzitesh kurrë. Një vizitor mund të gjuajë, mund të pjekë në zgarë”.
Arlindi tregon se ka shumë të rinj nga ky fshat që janë larguar por kur kthehen shpirtin e kanë tek peshkimi.
“Ka shumë që vijnë vetëm për peshkim e qëndrojnë edhe me dy ditë duke peshkuar”.
Peshkatari Besnik Gjetja e ka mësuar zanatin që fëmijë.
“Nëse rri mbi ujë do merresh me se s’bën me peshkim. Që 10 vjeç kam filluar me gjueti. E kam të trashëguar dhe jemi marrë gjithë familja. Është pasion dhe për punësim”.
Llesh Cali tregon dhe ai eksperiencën e tij e se si po ja trashëgon të birit.
“Me peshkimin janë marrë të gjithë paraardhësit e mi. Nuk ka njeri që nuk dinte të merrej me peshkimin. Unë ja kam lënë djalit, pavarësisht se ai ka mbaruar për finance e do peshkimin”.
Nëse burrat janë peshkatarë një pjesë e mirë e grave janë kuzhiniere. Kjo është Nazimje Jakupi që kur i ati dilte të peshkonte ajo nisi të mësojë si ta gatuante.
“Babai im ndjesë pastë ishte peshkatar, jemi rritur me peshkun. Vinte gjithmonë plot me peshk dhe na mësonte sesi ta pastronim e ta rregullonin sepse nuk kishim frigorifere.
Shumicën e peshkut e shpërndanim tek familje të tjera. Na mësonte si të gatuanim peshkun, supën e peshkut e gjëra të tjera dhe madje nëna që e kam nga Ulqini edhe sot vazhdon të na tregojë”.
Sekretet e gatimit kuzhineria i ndan dhe me vizitorët që janë kureshtarë.
“Ne vetëm e pjekim i hedhim vetëm pak vaj ulliri por s’është e domosdoshme dhe e vënë në zgarë”.
Largohemi nga këta njerëz punëtorë që na kujtuan se traditat duhet ruajtur me fanatizëm dhe duhet të trashëgohet./abcnews.al