Udhëheqësja e opozitës bjelloruse kërkon presion nga SHBA mbi regjimin Lukashenko

schedule23:55 - 20 Korrik, 2021

schedule 23:55 - 20 Korrik, 2021

Drejtuesja kryesore e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya, po u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë më shumë presion mbi qeverinë e Presidentit Alexander Lukashenko.

Zonja Tsikhanouskaya e drejtoi thirrjen e saj drejtpërdrejt tek zyrtarët e administratës Biden të hënën ndërsa u takua në Uashington me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike Victoria Nuland dhe të tjerë. “E falenderova atë për mbështetjen e aspiratave demokratike bjelloruse. U bëra thirrje Shteteve të Bashkuara për të forcuar ndihmën për shoqërinë tonë civile, për të ushtruar presion ekonomik dhe politik ndaj regjimit dhe i bëra thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen e krizës”, shkroi Tsikhanouskaya në Twitter pas bisedimeve.

Ajo tha se temë e bisedimeve ishin gjithashtu mënyrat për të mbështetur lirinë e medias në Bjellorusi pas goditjeve të qeverisë ndaj gazetarëve.

Zonja Tsikhanouskaya ishte sfiduesja kryesore e Lukashenkos në zgjedhjet e gushtit 2020 që opozita dhe shumë qeveri perëndimore i konsiderojnë të manipuluara. Ajo u largua nga vendi pas zgjedhjeve ndërsa qeveria e Lukashenkos shtypi protestat.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price u tha gazetarëve, “Ata diskutuan mbi shtypjen e vazhdueshme nga regjimi i Lukashenkos dhe për hapat që ne dhe shumica e bashkësisë ndërkombëtare kemi kërkuar të ndërmarrë regjimi i Lukashenkos”.

Sekretari Blinken shkroi në Twitter se në takim u diskutuan mënyrat për t’i dhënë fund krizës në Bjellorusi, e cila përfshin “lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, dialogun gjithëpërfshirës dhe zgjedhjet e reja”./VOA