Fuqitë perëndimore i kanë bërë thirrje Rusisë të ulë tensionet me Ukrainën dhe kanë mbështetur Kievin ndaj çdo kërcënimi të mundshëm nga Moska. Presidenti i SHBA-së Joe Biden bisedoi me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë dhe ranë dakord të përdorin “të gjitha mjetet në dispozicion të tyre” për të parandaluar agresionin, shkruan BBC
Biden pritet të bisedojë me presidentin rus Vladimir Putin sot. Rusia ka shtuar praninë e trupave të saj pranë kufirit të Ukrainës, duke shkaktuar frikë. Por Moska ka deklaruar se nuk ka plan të sulmojë Ukrainën dhe ka akuzuar vendet perëndimore për provokim.
Në një video konferencë të hënën mbrëma, udhëheqësit perëndimorë diskutuan “shqetësimin e tyre të përbashkët për ushtrinë ruse”, sipas Shtëpisë së Bardhë. Sipas raporteve të mediave amerikane, masat e mundshme përfshijnë kufizime për bankat e Rusisë ose aksesin e saj në sistemet globale të pagesave financiare. Por zyrtarët thanë se Uashingtoni nuk po planifikon një përgjigje ushtarake, raporton abcnews.al
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price tha se mënyra se si Uashingtoni do të përgjigjet do të varet nga veprimet e Moskës. Ai tha: “Nëse Rusia vendos të zbatojë planin e saj për të vazhduar agresionin e saj ushtarak ndaj Ukrainës, për të shkelur sovranitetin e Ukrainës, pavarësinë, integritetin e saj territorial, ne dhe aleatët tanë do të jemi të përgatitur për të vepruar me vendosmëri.”
Dhjetëra mijëra trupa ruse besohet se janë grumbulluar pranë kufijve të Ukrainës. Zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se Moska mund të planifikojë një ofensivë ushtarake në fund të janarit. Por Kremlini ka fajësuar “retorikën agresive dhe armiqësore” nga vendet perëndimore për nxitjen e tensioneve.
Sekretari për shtyp i Putin, Dmitry Peskov, tha se presidenti rus do të “dëgjonte me vëmendje” propozimet e Biden për Ukrainën.
“Ka vetëm një mënyrë për të zbutur tensionet, për të kuptuar se si të sigurohemi kundër synimeve të mundshme të Kievit për të zgjidhur problemin e Donbasit me forcë,” shtoi ai.
/abcnews.al