Udhëheqësi suprem i Iranit Ajatollah Ali Khamenei u bëri thirrje shteteve myslimane të ndalin eksportet e karburanteve dhe produkteve ushqimore që shkojnë në Izrael, si një masë sipas tij që do ta detyronte këtë vend të ndalte bombardimet ndaj Gazës. Lajmi u njoftua nga mediat shtetërore iraniane.
“Bombardimi i Gazës duhet të ndërpritet menjëhere dhe po kështu furnizimi me karburante dhe produkte ushqimore për regjimin Zionist”, tha Ajatollah Ali Khamenei gjatë një takimi me studentë në Teheran.
Që pas sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit, gjatë të cilit Hamasi vrau 1,400 persona dhe mori peng rreth 240 të tjerë, Izraeli është betuar ta shkatërrojë grupin militant, që mbështetet nga Irani, e që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Izraeli ka ndërmarrë ndaj Gazës një fushatë ushtarake të pashembullt me bombardime të vazhdueshme. Sipas autoriteteve palestineze në Gazë, një rajon që qeveriset nga Hamasi, numri i të vdekurve ka arritur në rreth 8 mijë.
Përfaqësuesit e klerit iranian kanë paralajmëruar për përshkallëzim të konfliktit nëse Izraeli vazhdon me ata që ata e cilësuan “agresionin ndaj palestinezëve”. Po kështu ata kanë sinjalizuar se grupet e lidhura me Teheranin në Lindjen e Mesme janë të gatshme të veprojnë.
Irani e ka shndërruar kauzën palestineze në shtyllë politike të Republikës islamike që prej revolucionit islamik të vitit 1979 dhe në një formë që e pozicionon teokracinë shiite si udhëheqëse të botës myslimane.
Udhëheqësi kryesor i Iranit Khamenei akuzoi Shtetet e Bashkuara se janë bashkëfajtore me Izraelin për “krimet e kohëve të fundit ndaj palestinezëve”.
“Bota islamike nuk duhet të harrojë se për çështjen qenësore të Gazës, shtete që qëndruan kundër popullit të shtypur palestinez ishin Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania”, tha ai ndërkohë që turma brohoriste “Vdekje Izraelit” dhe “Vdekje Shteteve të Bashkuara”.
Izraeli, të cilin Teherani zyrtar refuzon ta njohë, akuzon klerin iranian se po nxit dhunë duke armatosur Hamasin. Irani thotë se e mbështet moralisht dhe se përkrah financiarisht grupin militant.
“Pafytyrësia më e madhe e Perëndimit është akuza për terrorizëm që ua drejton luftëtarëve palestinezë”, deklaroi udhëheqësi suprem i Iranit./VOA