Ismail Haniyeh, kreu i byrosë politike të Hamasit, mbërriti në kryeqytetin iranian Teheran të martën për t’u mbledhur me zyrtarët iranianë dhe për të diskutuar “luftën e vazhdueshme në Gaza”, tha grupi militant në një deklaratë.
Haniyeh dhe delegacioni i tij janë planifikuar të zhvillojnë “një seri takimesh dhe diskutimesh me lidershipin iranian, rreth zhvillimeve politike dhe në terren” në Rripin e Gazës, thuhet në deklaratë.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, shefi i Hamasit, i cili ndodhet në Katar, është planifikuar të takohet me ministrin e Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian, ndër të tjera.
Vizita vjen një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Si Hamasi ashtu edhe autoriteti palestinez e mirëpritën rezolutën.
Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan, kritikoi anëtarët për miratimin e një mase që kërkonte një armëpushim “pa e kushtëzuar atë me lirimin e pengjeve”.