Uashington, aktivitetet e fundjavës në nderim të ushtarakëve të rënë

schedule21:31 - 28 Maj, 2023

schedule 21:31 - 28 Maj, 2023

Dita e të Rënëve është festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, dedikuar atyre që dhanë jetën gjatë shërbimit ushtarak. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou, për të shënuar këtë ditë që kujtohet të hënën e fundit të majit, njerëzit mblidhen në Uashington duke vizituar varret e ushtarakëve të rënë dhe monumentet kombëtare, si dhe për të ndjekur paradat që organizohen.

Flamujt amerikanë zbukurojnë varret e mbi 228 mijë ushtarakëve të varrosur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.

Për këtë ceremoni të përvitshme të sjelljes së flamujve, që i ka fillimet në vitin 1948, mbi 1 mijë ushtarë dhe vullnetarë vendosin flamuj përpara çdo guri varri në vigjilje të Ditës së të Rënëve, një festë kombëtare amerikane që shënohet të hënën e fundit të majit për të nderuar ushtarakët që sakrifikuan jetën duke luftuar për vendin e tyre.

Në Uashington, mbi dymbëdhjetë monumente ushtarake u janë dedikuar atyre që luftuan për Shtetet e Bashkuara, duke filluar që nga Revolucioni Amerikan në vitet 1700, dhe deri në konfliktet moderne si në Irak, Afganistan dhe më gjerë.

Një nga destinacionet më të mirënjohura për Ditën e të Rënëve është Memoriali i Marinsave, një statujë e ngritur sipas fotografisë së mirënjohur të vitit 1945 të marinsave që ngrenë flamurin amerikan në ishullin japonez Iwo Jima, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në Memorialin e Luftës së Dytë Botërore, kolonat e gurta dhe kurorat e bronxta përkujtojnë mbi 400 mijë ushtarakë amerikanë që dhanë jetën gjatë atij konflikti.

Në Memorialin e Luftës së Vietnamit, emrat e mbi 58 mijë burrave dhe grave që vdiqën gjatë kësaj lufte të debatueshme, janë të gdhendura në një mur graniti të zi.

Miliona vizitorë vijnë në kryeqytetin amerikan në Ditën e të Rënëve, jo vetëm për të mbajtur zi për të rënët, por edhe për ta festuar këtë ditë.

Parada Kombëtare e Kujtesës, një traditë e gjatë e Uashingtonit, zhvillohet çdo vit në Shëtitoren Kombëtare dhe në të marrin pjesë banda ushtarake dhe njësi që marshojnë.

Dita e të Rënëve është gjithashtu një ditë optimizmi, që shënon fillimin e sezonit të verës në Shtetet e Bashkuara./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!