U vra nga polici, xhaxhai i 25-vjeçarit: S’ka pasur armë, kishte dy hurma në dorë doli për kafe

schedule09:36 - 8 Dhjetor, 2020

schedule 09:36 - 8 Dhjetor, 2020

Hasan Rasha, xhaxhai i Klodian Rashës, 25-vjeçarit që u ekzekutua nga policia pas mesnatës së djeshme ka deklaruar se nipi i tij nuk ka pasur armë me vete. Në një deklaratë për mediat ai tha se në fillim kur i kanë marrë në telefon i kanë thënë se djali është arrestuar nga policia dhe pastaj kanë marrë vesh se djalin e kanë vrarë.

Xhaxhai i të riut u shpreh se Rasha kishte qenë në shtëpi me dy hurma në dorë të cilët i kishte lënë në ballkon dhe pastaj ka dalë për të pirë kafe. Ai i bën apel policisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen për të mësuar njëherë e mirë se si ka ndodhur vrasja e nipit të tij.

 “Unë jam xhaxhai i fatkeqësisë. Klodi është një djalë ish-oficeri. Kam dëgjuar se thonë se ka pasur armë. Është e pavërtetë. Ai ka qenë i sëmurë për nerva. Ka marrë ilaçe dhe ka qenë edhe i shtruar. Tani ai nuk ka pasur armë. Gjatë ditës ka punuar me babën e vet dhe më vonë është ndjerë i lodhur. Është shtrirë dhe ka dalë natën me pi kafe. Ka njoftuar policia vëllain duke thënë se është arrestuar djali. Ai ka shkuar për djalin i kanë thënë se ka bërë aksident me policinë. Pastaj kanë thënë se ka vdekur. Djali ka dalë me pirë kafe. Ka pasur dy kokrra hurma në dorë i ka lënë në ballkon. 

Tani na kanë thënë se ka vdekur. Përpara ka qenë i sëmurë. Por jo tani. Gjatë ditës ka qenë i sëmurë. Jo ku ka pasur armë. Babai i tij ka qenë duke fjetur. Nuk kemi parë asgjë. Unë edhe në emër të vëllait ju jeni të gjithë të nderuar që vini këtu për ta zbardhur këtë punë kërkojmë që të zbardhet deri në fund. Vëllai me ka garantuar që djali nuk ka pasur asgjë me vete se nuk ka armë në shtëpi. Apeli ndaj policisë është që këtë punë ta zbardhë deri në fund. Kërkojmë edhe nga ana juaj që ta zbardhni këtë punë”, deklaroi ai./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!