Ushtria izraelite tha të enjten se Mohammed Deif, kreu i krahut ushtarak të Hamasit, ishte vrarë në një sulm ajror izraelit më 13 korrik në kampin Al Mawasi.
Sulmi masiv i bombardimeve në atë kohë rrafshoi disa ndërtesa dhe vrau të paktën 90 njerëz, duke plagosur afro 300 të tjerë.
Por kush ishte Deif?
Emri i vërtetë i Deif është Mohammed Diab Al Masri. Deif është një ‘nom de guerre’ që do të thotë ‘mysafir’ në arabisht, në lidhje me zakonin e tij për të ndryshuar vazhdimisht vendndodhjen e tij për të shmangur vrasjen.
Ai lindi në një kamp refugjatësh në Khan Younis në vitin 1965 dhe u përfshi për herë të parë me Hamasin në Gaza në vitet 1980, kur ai drejtoi “bashkimin e islamistëve në Universitetin Islamik të Gazës”. Ai ishte student i biologjisë dhe ishte afruar me Vëllazërinë Myslimane, me të cilën Hamasi ka lidhje të ngushta. Deif u përfshi në operacionet ushtarake të Hamasit gjatë 20 viteve më pas.
Ai u arrestua nga Izraeli në vitin 1989 dhe kaloi rreth 16 muaj në paraburgim, tha një burim i Hamasit për Reuters. Duke u ngritur në radhët e Hamasit, Deif zhvilloi rrjetin e tuneleve të grupit dhe ekspertizën e tij për prodhimin e bombave. Në vitin 2002, ai u emërua komandant i krahut ushtarak të Hamasit, Brigadave Ezzedine Al Qassam.
Roli në sulmin e 7 tetorit
Izraeli akuzon Deifin si një nga organizatorët e sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor në Izraelin jugor. Rreth 1,200 izraelitë u vranë në sulmet, të cilat nxitën luftën hakmarrëse të Izraelit kundër Gazës, në të cilën u vranë më shumë se 38,000 njerëz.
Si udhëheqës i krahut ushtarak të Hamasit, Deif shihet se ka organizuar sulmet së bashku me liderin më të lartë të Hamasit, Yahya Sinwar. Një regjistrim i Deif u transmetua në kanalin televiziv të Hamasit në ditën e sulmit.
“Sot zemërimi i Al Aksa, zemërimi i popullit dhe kombit tonë po shpërthen. Muxhahedinët tanë (luftëtarët), sot është dita juaj për ta bërë këtë kriminel të kuptojë se koha e tij ka marrë fund”, kishte thënë Deif në regjistrim.
Në regjistrim, Deif e quajti sulmin “Përmbytja e Al Aksa”, duke e lidhur atë me bastisjet izraelite në xhaminë Al Aksa në Jerusalem.