“U turpërua në Shkup,” Taravari: Zaevin e pret fati i Gruevskit

schedule08:59 - 2 Nëntor, 2021

schedule 08:59 - 2 Nëntor, 2021

“Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev është në fund të karrierës politike”. Kështu është shprehur së fundmi sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Në intervistë për TV21, Taravari e përjashtoi mundësinë e një koalicionimi me LSDM-në, por megjithatë nuk ishte i prerë se “nuk do të bisedohet aspak me LSDM-në.” Ai shtoi se Zaevin e pret i njëjti fat me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski i cili u arratis në Hungari.

“Nuk e di a do të mbetet në shtet apo do të ikë”, tha Taravari.

Ai foli edhe për dorëheqjen e Zaevit, duke thënë se ka qenë e pritshme, pasi sipas tij, “u turpërua në Shkup”.

“Ai një javë para vetë është deklaruar se nëse humb Shkupin do të japë dorëheqje. Jo se e humbi, por u turpërua me 30 mijë vota. Nuk janë këto vetëm humbje të Zoran Zaevit por edhe Ali Ahmetit sepse kandidat të përbashkët e kanë pasur Shilegovin”, tha Taravari.

Kujtojmë se Arben Taravari do të jetë kryetar i komunës së Gostivarit edhe për një mandat tjetër pas fitores në raundin e dytë kundrejt Nevzat Bejtës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!