Luis Cavanda në verë vendosi të largohet nga Standard Liege dhe që nga ajo është pa një klub. Belgu ishte shumë pranë kalimit te Trepça ‘89, madje kishte firmosur për ta dhe kishte ardhur në Kosovë për t’u prezantuar.
Gjithë prapaskenën e tregon presidentit i klubit të Trepçës, Abedin Zeka, i cili zbulon pa filtra historinë e shkurtër të Cavandas me Trepça ‘89. Ai shprehet se Cavanda “u tmerrua” nga dhomat e zhveshjes së klubit dhe la atë vend brenda 10 sekondave, duke anuluar transferimin dhe u larguar nga Kosova.
Kujtojmë se 30-vjeçari ka luajtur me klube si Lazio, Galatasaray apo Torino, të cilët janë gjigantë të Europës dhe nuk krahasohen me Trepçën. Cavanda ishte mësuar me të tjera kushte dhe ishte e pamundur që Trepça ta bindte të qëndronte.
“Cavanda erdhi, ne ia çuam biletën e avionit, e pritëm, e vendosëm në hotel, e shëtitëm në Prishtinë, e dërguam në restorantet më luksoze. U kam thënë bashkëpunëtorëve, e kam frikën se do na ikë. Kur e dërguam në Mitrovicë u munduam ta gënjenim pak, e çuam në stadiumin ‘Adem Jashari’, ta shikonte stadiumin nga jashtë.
Në momentin kur pa dhomat e zhveshjes, ai nuk priti as 10 sekonda para se të largohej. Paramendoni, po të kishte ardhur Cavanda me ne në Gjilan, sa më të shëmtuara janë dhomat e zhveshjes atje. Më erdhi gjynah, kur i pa dhomat e zhveshjes dhe nuk ndenji as 10 sekonda aty”, tregoi Zeka. /abcnews.al