Kryetari i PS-së në Vlorë, Anduel Tahiraj deputet i zgjedhur në 25 Prill, por njëkohësisht anëtar i këshillit bashkiak të qytetit bregdetar ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale duke sulmuar kryebashkiakun Dritan Leli pas lajmit që qarkulloi në media se u takua me kunatin e Lulzim Bashës.
“Nuk na intereson se kë takon Dritan Leli pas mureve në Tiranë, po duam vetëm të pastrojë plehrat kapicë gjer në majë të mureve në Vlorë! Nuk duam ta dimë çfarë mund ta lidhë Dritanin me Kunatin më të famshëm të Ballkanit, po duam që Dritani të mbyllë gropat e rrugëve që lidhin lagjet e Vlorës! Dritan kthehu në Vlorë se (nuk) të pret puna” shkruan ai.
Fotoja që qarkulloi në media ku u aludua se Dritan Leli u takua me Erion Isufajn
Por Dritan Leli e mohoi një takim të tillë duke thënë se nuk e ka takuar asnjëherë dhe nuk e njeh Erion Isufajn, kunat i Lulzim Bashës.
“Për të gjithë ata që nxjerrin çfarë duan e nuk shohin çfarë nxjerrin, me gjithë skenarët e qëndisur, më duhet të them se në videon e publikuar nga media, ndërkohë që është duke u zhvilluar Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, jam duke biseduar me inxhinierin e pedagogun vlonjat Idlir Dervishi, në oborrin e Akademisë së Arteve, pranë Universitetit Politeknik, ku Idliri punon! Kunatin e Lulit, as nuk e kam parë, as nuk e kam takuar ndonjëherë në jetë” shkruan ai.
Ditën e sotme anëtarët e këshillit të bashkisë Vlorë kërkuan mbledhje jashtë radhe të këshillit të bashkisë. Në mbledhje kërkohet ballafaqim me kryetarin e bashkisë Dritan Leli në prezencë të kryeministrit Edi Rama. Në ditët e fundit ka pasur reagime të shumta kundra Dritan Lelit nga socialistët.
Mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka pasur përplasje të vazhdueshme. Këto përplasje u tensionuan akoma më shumë vetëm pak javë para zgjedhjeve të 25 prillit, ku u raportua se pati një debat të ashpër.
Përplasja u tha se erdhi pas refuzimit nga ana e Lelit, të propozimit të Ramës për të lënë mandatin e kryebashkiakut dhe përfshirjes së tij në listën e kandidatëve për deputetë./ db/ Abcnews.al