Ka ndërruar jetë poeti i njohur Arben Duka. Duka ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak. Abcnews.al mëson se ai u dërgua në spital mbrëmjen e djeshme nga familjarët pas problemeve shëndetësore dhe ndërroi jetë në spital.
Por kush ishte poeti që spikati për stilin dhe talentin e tij, duke mbrojtur me dinjitet të vërtetën deri në fund?
Arben Duka në Labovë të Gjirokastrës. Mbaroi Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Është një ndër letrarët, e biografinë më të pasur letrare dhe artistike në vend. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë. Është bashkëautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanërve duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetra çmime si autor dhe bashkëautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar. Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristik dhe satirikë në shumë të përditëshme dhe periodike. Ka mbuluar për rreth shtatë vjet “Intervistat e Kaso Kosës” në gazetën “Intervista” duke qënë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë. Por Duka është më së shumti një poet lirik.
Duka sot është poeti më i lexuar dhe më i komentuar ndër shqiptarë. Ai, me stilin dhe talentin e tij ka arritur ta mbrojë me dinjitet të drejtën e të vërtetën.
Puna e tij e përkushtuar dhe kontributi që i ka dhënë letërsisë shqipe në përgjithësi, është për t’u çmuar dhe për t’u përshëndetur.
Sakaq, Duka është një emër shumë i njohur i poezisë bashkëkohore shqipe, në disa segmente mbase edhe më i njohuri, më i begatshmi, më realisti.
Është poet në kuptimin e fjalës, që i qaset poezisë me dinjitet, me respekt, korrektësi e përgjegjësi për gjithë ato që shkruan dhe kumton, por me fjalë që kanë peshë, që ruajnë nderin e respektin e vetë fjalës së ndershme.
Poezia e Dukës, kryesisht ajo humoristike satirike, manifestohet me humor të shëndoshë, shërues, anti depresiv. Ajo ta heq bezdinë dhe stresin që të kap kur dashur pa dashur, duke kërkuar diçka në internet, has në shkarravinat e horrllëqet e sojeve mediokre, apo ngatërrohesh në ekranin e televizorit me ndonjë surrat të tillë.
Poeti i ka vënë detyrë vetes, që përmes poezisë të komentojë e të analizojë të kaluarën, përditshmërinë, të polemizojë, të përgjigjet në të gjitha sfidat dhe të sfidojë mediokritetet.
Krejt krijimtaria poetike e tij është në shërbim të së mirës, drejtësisë, realitetit, njerëzisë. Si e tillë, është njëlloj bari qetësues që të ulë tensionin, të disponon, të heq streset e ditës dhe të bën të ndihesh mirë, thjesht, është poezi terapi.
Arben Duka mund të cilësohet edhe si autori më njohur i teksteve në Festivalet e RTSH. Ai eshte fitues i 7 çmimeve të para si autor tekstesh në atë festival dhe dhjetra cmimeve të dyta dhe të treta. Duka ka fituar tre cmime si bashkautor me kenget: “Çel si gonxhe dashuria”,“Në moshen e rinisë”,“Mirësia dhe e vërteta”. Dy çmime te para per natën e te rinjve me këngët: “Yjet e shpreses”,“Ti ku ishe nena ime?”dhe mbi te gjitha ka dy cmime te para si poeti me i mire me tekste:“Miresia dhe e verteta”dhe ”Besoj vendashuri”. Ai ka marre pjese ne 35 festivale dhe ka mbi 50 këngë.
https://www.youtube.com/watch?v=zY9thoIj5DY
Përmes vargjeve të tij, Duka preku çdo ngjarje të aktualitetit, duke goditur edhe figurat politike të kohës. Ai ka shprehur hapur që nuk ka pasur një pëlqim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Madje, përmes një poezi e ka cilësuar krim të diktatorit Enver Hoxha.
“Veç një krim ke bërë,
që kurrë s’do të falet,
kur Sali Berishën,
e shkule nga malet!”
Madje në vitin 2017, poeti përdori satirën e dhe ironinë therëse për kryeministrin, Edi Rama për marrëveshjen e bërë me PD. Duka e cilësuar me vargje se kjo marrëveshje është genocid mbi Partinë Socialiste.
“Gjashtë orë me Lulin,
kokë më kokë qëndroi,
një marrëveshje turpi,
në fund nënshkroi!
Ky është Edi Rama,
burri që bën shtet,
që fali çdo gjë,
veç bythës së vet!”
E kur bëhet fjalë te dashuria, Arben Duka do të kujtohet gjatë si poeti që një pjesë të shpirtit ia dedikoi ndjenjës më sublime. Ai shkroi me qindra poezi me motivin më të pastër që na mban të gjithëve gjallë.
“Një ndjenjë e re që zemrën peshë ma mban,
sërish nga gjumi nesër do më zgjojë,
do të harroj çdo gjë që ne na ndan,
e atëherë çdo gjë do na bashkojë”, është një prej strofave më të bukura që Duka i ka dhuruar poezisë shqipe.
Pra, siç edhe vetë poeti e tha mes vargjeve… Nesër të gjithë do të zgjohemi me ndjenjën e dashurisë, duke kujtuar se në këtë botë jetuan kolos letrar, të cilët na mësuan ta duam jetën edhe më shumë./Liarda Kondakçiu.abcnews.al