Procesi i vetingut ka nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë një numër të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh në Shqipëri. Por për një pjesë të madhe të tyre lidhjet me këtë fushë nuk janë shkëputur.
Juristja Margarita Kola deklaroi në emisionin “Bardh A Zi” në ABC se një pjesë e mirë e tyre po kthehen duke hapur studio avokatie për të shfrytëzuar lidhjet e tyre tashmë nga pozicioni i avokatit.
“Gjyqtarët që janë në prag të vetingut kanë më shumë frikë se të tjerët. Nuk i dëgjojnë fare avokatët. Po qe e njëjta frymë do jetë i njëjti model. Dëmi më i madh që i është bërë një gjyqtari apo një prokurori që ka dalë nga sistemi, janë bërë avokatë me studio të shtrenjta dhe vazhdojnë të shfrytëzojnë lidhjet e tyre për të korruptuar të tjerët. Po punojnë si avokat”, tha Kola.
Gazetari Adriatik Doçi tha se janë 27 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë ikur nga sistemi i drejtësisë pasi janë shkarkuar nga vetingu dhe kanë hapur studio avokatie, duke përmendur këtu ish-kryetarin e Kushtetueses Bashkim Dedja si dhe prokurorin Ramadan Troci.
Për avokatin Saimir Visha kjo nuk është e paligjshme. Megjithatë ai thekson se shqetësim më i madh në këtë mes është se një pjesë e tyre japin mësim në universitete. “Nuk është e kundraligjshme. Më shqetëson më shumë se disa prej tyre janë mësim në universitete. Po mësojnë rininë si të vjedhin”, deklaroi Visha. m.v/abcnews.al