U rrëmbye dhe u vra nga një agjent, vdekja e 33 vjeçares shkakton zemërim në Britani

schedule15:16 - 12 Mars, 2021

schedule 15:16 - 12 Mars, 2021

Portreti i saj, dhe fjalët “e zhdukur”, u vendos në të gjithë Londrën, sidomos në jug të kryeqytetit britanik vendin ku 33 vjeçarja Sarah Everard u zhduk mbrëmjen e 3 marsit.

Tashmë detajet tronditëse të asaj që ka ndodhur: është arrestuar një agjent policie që ka punuar prej vitesh në kryeministri dhe jashtë ambasadës amerikane. Quhet Wayne Couzens dhe së bashku me bashkëshorten e tij, dyshohet se ka rrëmbyer, vrarë dhe fshehur trupin e gruas teksa ajo kthehej në shtëpi, një javë më parë.

Mbrëmjen e së enjtes u gjetën pjesë të një trupi të pajetë që mund të jetë i Sarës. Ndërkohë kryeqyteti britanik është në gjendje shoku dhe janë ndezur shumë debate për tragjedinë në fjalë, vrasjet e femrave, abuzimet ndaj tyre dhe në një vend e në një kryeqytet si Mbretëria e Bashkuar dhe Londra.

Çdo gjë nis në 3 mars. Sarah Everard, menaxhere e marketingut digjital, ishte te një mikeshë e saj dhe po kthehej në shtëpi. Distanca që duhet të përshkojë është 50 minuta në këmbë, në rrugë kryesore dhe të ndriçuar.

 

Por rreth një kilometër larg shtëpisë së saj ajo zhduket. Kërkimet e policisë ishin të pandalura, dhe është analizuar çdo telekamerë sigurie rreth zonës por u kërkua dhe për dëshmitarë okularë.

Deri një ditë më parë, asgjë. Telekamera e një autobusi që po kalonte duket se ka filmuar momentin e rrëmbimit të saj. Kështu agjentët e policisë arrestojnë kolegun e tyre Wayne Couzens të cilin e ndiqnin prej ditësh.

Ai dyshohet se ka rrëmbyer dhe varrë Sarën, me bashkëpunimin e bashkëshortes së tij. Lajmi ka tronditur të gjithë vendin sepse Couzens, përveç se një përfaqësues i forcave të rendit, ka punuar këto vite në zemër të pushtetit britanik, roje jashtë parlamentit dhe kryeministrisë. Por dhe pranë ambasadës amerikanë në jug të Londrës, në zonën ku u zhduk Sara. Ditën e zhdukjes së Sarës ai ndodhej pikërisht aty me shërbim.

Kryeministri britanik Boris Johnson u shpreh i trishtuar dhe i tronditur nga ngjarja. Lideri i laburistëve Starmer u shpreh se gratë duhet të ndihen të lira dhe të sigurta.

Pikërisht një ditë më parë, një sondazh i JuGov nxori në dritë një anë tronditëse të shoqërisë britanike. Nga një mijë gra të pyetura, të gjitha deklaruan se kishin qenë objekt abuzimi verbal apo fizik nga meshkujt gjatë jetës së tyre.

Por 96% nuk kishte denoncuar asnjëherë. Tashmë, rasti i Sarah Everard ka rihapur shumë plagë të thella, e të pambyllura ndonjëherë të grave britanike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!