Nga Simon Shkreli
401 shkodranë që janë pushkatuar në kohën e diktaturës nuk kanë një varr. Familjarë të tyre po humbin shpresat se mund të gjenden. Dëshmojnë histori të frikshme të torturave dhe persekutimit që i ndoqi përgjatë viteve të komunizmit.
“Në emër të popullit je i dënuar…”
“Gegë Zefi djali i Zef Delisë ka shkuar në internim rreth dy vjeç dhe në moshën 3 vjeç ka vdekur. E kanë marrë me karrocë dhe nuk dihet se ku e kanë hedhur apo varrosur, dhe me thanë drejtën edhe kjo është e pa mundur që të gjendet.” Thotë Ndoc Ashat, nipi i Gjelosh Lulashit.
“Shpresa vdes e fundit, po ma në fund të fundit nuk di çka me thanë se u ba kohë e gjatë 70 vjet.”thotë Ndue Leknikaj, djali i Mark Leknikajt.
Shkodër 1945-1991:
2890 të burgosur
1924 të internuar
601 të pushkatuar
136 të vdekur në totura
401 të zhdukur pa varr
401 TË PA GJETUR
Shkodra shihej si qëndër raksionare. U godit ashpër nga regjimi komunist.
“Veriu në përgjithësi shihej si një territor armik dhe kjo shihet edhe nga një kabllogram dërguar çetave partizane nga Enver Hoxha ku ju thotë që sapo të kaloni Shkumbinin kini kujdes se hyni në territori armik.”deklaron Pjerin Mirdita përgjegjësi i Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës.
“Shkodra e Kulturës, Shkodra e dijes, e fotove, e artit e tregtisë e patriotëve e nacionalistëve, pa tjetër duhej të merrte një goditje nga regjimi I Enver Hoxhës. Modele ka sa të duash. Në këtë kontekst edhe duke qenë afër ish- jugosllavisë kishin njëlloj, dmth kryente një detyrë karshi partisë komuniste jugosllave. Këto ishin faktorë natyror, historik dhe pse jo gejopolitik” deklaron studiuesi Qamil Gjyrezi.
“Shkodra ka persekucion më të madh që ka Shqipnia sa tre qytete të Shqipërisë. 601 ka të pushkatuem. Shkodra ka pas 13 burgje, pra kaq fluks të madh ka pas të arrestuarish, se këtu ka kenë sic ka thanë udhëheqësi I asaj kohe se këtu asht qendra reaksionare. Sa ka dhe një barcoletë, se nuk po shkoj me marrë të bijen e filanit se ka një hallë në Shkodër.” tha ish i burgosuri politik, Zenel Drangu.
Kanë kaluar mbi 30 vjet nga rrëzimi i diktaturës, por shumë të pushkatuar ende janë gjetur.
“Sipas të dhënave që na kanë thënë besimtarët, se këtu bri rrugës afër një kanali ishin eshtrat e Dom Nikollë Gazullit rreth viteve 80. Unë së bashku me bashkëpunëtoret e mij kemi punu rreth 2 javë me fadromë me ba kërkimin e eshtrave, por mjerisht nuk kemi gjetur asgjë.”deklaron Dom Nikolin Sheldija.
Kërkimet nuk kanë reshtur, ndërsa ajo që dihet janë vendet se ku janë pushkatuar dhe shumë pak informacion rreth zonave ku mund të jenë groposur.
Ky është Çinari tek varret e Rrmajit këtu në Shkodër. Vendi në të cilin pjesa më e madhe e viktimave të komunizmit janë pushkatuar. Ndërkohë që në pjesën tjetër përtej ndodhet Lumi Kir, ku dyshohet se pjesa më e madhe e të groposurve rreth Cinarit janë hequr dhe janë hedhur sërish në Lumin Kir.
Me ndryshimin e sistemit familjarët e të pa gjeturve nuk ndalin kërkimet.
Iniciativa e dy familjeve Pali dhe Meti rezuloi e suksesshme. Eshtrat Ndue Pali e Caf Meti të pushkatuar në vitin 1945 u gjetën dhe bashku me to edhe eshtrat e Kolë Sokolit, Riza Uruçit dhe Qemal Rukës.
“Janë ekzekutuar në Zall të Kirit. Me ardhjen e demokracisë ne kemi arrit me I gjetë eshtrat falë axhës së tretë Zefit I cili në moshën 16 vjeçe është arrest për këtë punë, mbasi ka ba vorret e 5 të pushkatuarve, tre janë pushkatu dy ditë mbrapa. Pra të Ndue Palit dhe Caf Metës dhe tre tjerëve.”thotë Armando Pali, nipi i Ndue Palit.
Sot Ndue Pali dhe Caf Meti e kanë një varr madje me dëshirën e familjarëve janë vendosur bashkë.
“Trupi I Ndue Palit dhe Caf Metës prehen në një vorr. Ashtë rasti I parë që ka ndodh mbas demokracisë që dy besime I krahut katolik dhe mysliman ashtu si diten që janë pushkatu, janë akoma bashkë sa të kena jetë na dhe familja e tyne.”shton Armando Palit.
Akti i Ndue Palit dhe Caf Metit pak para se të pushkatoheshin ishte i jashtëzakonshem. U përleshen me oficerët e burgut dhe vranë edhe dy prej tyre. Armando Pali nipi i Ndue Palit tregon për këtë ngjarjen.
“Në 1945 xhaxhai po bëntë propagandë në malet e Dukagjit kundër sistemit. Arrestohet në besë. Me datë 15 gusht në mëngjes rreth ores 2 e gjysëm të mjesit shkojn me i marr me i pushkatu Ndue Palin dhe Caf Meten. Ndue Pali e Caf Meta kishin disa lugë që i kishin kthye në thika, dhe aty u përleshen me ata që i keqtrajtuan gjatë qendrimit të tyre në burg. Në bazë të dokumentit që është nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë fjalët e fundit të Ndue Pali ishin: Nuk po më vjen keq që unë po pushkatohem prej vëllazenve të mij. Mbasi kam vuajta për 5 vite nga fashistet dhe nazistet. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin. Rroftë Shqipëria! Të fala familjes.”thotë Armando Pali.
Veç intelektualëve të Shkodrës u godit dhe kleri. Nga 38 martirë vetëm 11-ve u janë gjetur eshtrat.
“Ne kemi vetëm të 11-ve eshtra. Disa I kishim në varrezat tona disa ishin shpërndarë. Fra Vinçenci që është zëvëndës postulator është bashkë edhe me një ekip që e kishim organizuar I kanë marrë eshtrat në bashkëpunim me famullitarët, ato 11. Fillimisht kanë qenë 10-të pastaj I 11-ti u gjet Monsinjor Jul Bonati në Durrës së bashku ishte brenda një thasi së bashku me familjarët tjerë.” thotë Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkvi i Shkodrës.
64 klerikë katolikë kanë vdekur, pasi kanë provuar më parë torturat në burgje dhe kampet e përqendrimit.
Për shkollimin e rreth 112 klerikëve u nevojitën 920 vite në 54 universitete të shpërndara në 10 shtete të botës. Për tu asgjësuar u ndëshkuan me 155vite nëpër hetuesi dhe 1.232 vite burg.
Për ti arrestuar janë trilluar gënjeshtra nga më banalet dhe të cuditshme.
“Kryqi që kemi vendos në oborrin e Kishës në Bogë ka një domethanie shumë të rëndësishme me rastin arrestimit të Dom Lekë Sirdanit. Dom Lekë Sirdani mbasi ka thanë meshën, të gjithë forcat komuniste e kanë rrethuar vendin. E kanë pyet dhe akuzu duke shpifë se ai ka thanë që këtu në Bogë ka dal një re e zezë dhe asht gati me ra një rrebesh I fortë që nuk dihet gja se kur ka me mbaru. Dom Leka në këtë moment kur e ka pa se komunistat po e arrestoshin është mbështetë afër kryqit dhe ka thanë këto fjalë: Ja kam dhanë një herë fjalën Krishtit dhe jam gati me vdek për të. Në momentin kur Dom Leka është arrestu, asht lidh për një makinë policie. Thonë që duke e tërheqë zvarrë I ka mbetë këpuca dhe në at moment I është sjellë një të afërmi të tij duke I thanë: Kujdes diçka te shpija.
Po në fakt Dom Leka kur është vra, asht vra në gropen e zezë së bashku me bashkë vëllaun e tij Dom Pjetër Ccuni, të dy të Lum tashmë. Dhe është interesant fakti se para se të vritej ai ka thënë: Unë Besoj dhe nga ai moment është zhduk”.thotë Dom Nikolin Sheldija.
Arqipeshkvi I Shkodrës Anxhelo Massafra jep këtë dëshmi të fortë mbi atë cka ndodhur me eshtrat e këtyre dy martirëve.
“Në vitin 2002 kur është shkatërruar burgun dhe gropen e zezë e burgut të Koplikut. Atje dy martirët Dom Pjeter Cuni dhe Aleksandër Sirdani, kanë qenë varrosur gjallë në gropen e zezë të burgut. I kemi kërkuar prokurorisë aso kohe sepse ishte problem që ishin tre kufoma dhe jo dy. Atëherë na dhanë me kusht që të bëheshin AND. Na ka kushtuar 18 mijë dollar e kemi bërë në Amerikë për të çuar. Arritem ti çonim por fatkeqësisht ishin kaq të prishur eshtrat sa s’kanë arritur të nxjerrin ADN.”thotë imzot Masafra.
Zhdukja e 401 personve që edhe sot nuk kanë një varr, është sa misterioze aq edhe e qëllimtë.
Pjesa më e madhe e të pushkatuarëve janë groposr pikërisht në afërsi të pendes së Lumit Kir, trupat e të cilëve dergjen diku, nëse uji dhe rjedha e lumit nuk kanë shkaktuar gërryerjen dhe atë që shkaktojnë gjithë shkatërrimin e gjitha provave.
Pjerin Mirdita studjues dhe përgjegjës I Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës shprehet se vendet e groposjes kanë qenë të studjuara mirë.
“Kundërshtarët e regjimit pushkatoheshin pranë lumejeve buzë shtretëreve të lumenjëve. Dhe kjo nuk ishte rastësore, sepse lumenjët kanë karakter të crregullt të furnizimit të ujit, vërshimi I këtyre lumenjëve ndoshta ka zhduk të gjitha provat e egzekutimeve.”deklaron Pjerin Mirdita.
Provat janë të pakta, gjetja e eshtrave sa bëhet e vështirë, varrezat e Rrmajit dhe gjithë zona për rreth është transformuar plotësisht. Përpjekjet kanë qenë sporadike.
“Unë kam pas rastin në vitin 1992 me nipin e Pader Gjovani Fausti I cili kishte ardh nga Italia u mblodhëm ne përfaqësues të disa familjeve që kishin njërëz të pushkatuar në Rrmaj dhe po na jepte një shembull që nëse gjenden eshtrat e të pushkatuareve që ishin 6 persona në një varr. Na thoshte se xhaxhai I tij Pader Fausti kishte dy dhëmbë, ose një dhëmb e një dhëmbadhë arit, ngjitur me dhëmbin e syrit, që ari nuk prishet. Ata që e moren përsiper këtë punë dolen me një mendim se nuk mund të gjenden sepse aty është ndërhyrë në thellësi gjatë ndërtimit të kantierit të ndërmarrjes së ndërtimit apo lëvizje të ndryshme qoftë për banesa.” thotë Ndoc Ashta.
Gjelosh Lulashi është një nga 38 klerikët e së bashku me At Gjon Shllakun, At Gjovani Faustin, Mark Çunin, dhe Qerim Sadikun me urdhër për pushkatimin e tyre e ka firmosur vetë Enver Hoxha.
Po cilat ishin fjalët e fundit të Gjeloshit para pushkatimit.
Regjimi komunist nuk u ndal me kaq, vazhdoi me goditjen e familjarëve të të vrarëve dhe të pushkatuarëve me dhe pa gjyq. Pasojat do ishin tepër të rënda përgjatë 45 viteve.
“Që nga dita e pushkatimit të axhes Gjelosh, ne kishim trysnin politike, diskriminin luften e klasve kishim gjithcka mbi shpinë. Po në 1946 që u pushktua axha, shteti arrestoi gjyshin tonë, atë ditë u dogj shtëpia dhe u konfiskua e gjithë pasuria e tundëshme dhe e pa tundshme. Prej asaj dite filloi burgosja dhe pushkatimet. Ne numërojmë 11 vetë.” tha Ndoc Ashta.
“Mbas pushkatimit të axhës Ndoj asht arrest axha i tretë Zefi I cili asht torturu 18 muaj në hetuesi dhe ka mbet i shurdhër për gjithë jetë. Mbas Ballkaniadës është arrest axha tjetër Pali në vitin 1946 dhe është mbajt në burg deri në vitin 1948 e më pas është liru. Asht arrestu gjyshi ka ba 6 muaj hetuesi dhe asht sekuestru komplet pasuria jonë.” tha Armando Pali.
E teksa vitet kalojnë gjetja e të eshtrave të të vrarëve gjatë Komunizmit është një kërkësë e vazhdueshme familjarëve drejtuar institucioneve.
Në vitin 1955 Ndue Leknikaj ka qenë vetëm 2 vjec kur I është pushkatuar babai I tij Mark Leknikaj. I është thënë se është se groposur tek vorri I bamit në Tiranë.
“Në pranverë 1952 ka hyrë në bur u dënua 15 vjet. Ka vdekur në burgun e Tiranës. Më kanë thënë se është varrosur tek varri I Bamit. Por kur s’ka tabelë, shishe, tash aty janë ba pallate, ka ndryshuar koha se janë bërë 70 vjet.” tha Ndue Leknikaj.
Mban në duar vetëm këtë fotografi nga babai se ishte I shumë I vogël e përsëgjalli nuk e mban mend.
” Faktike nuk pata tjetër, se u ba një kohë e gjatë që asht ba 70. Kam pas një tjetër ushtarak tha Ndue Leknikaj.
Në këtë vend që njihet si Aneta e Radio Shkodrës këtu në fshatin Kuç në parcelen pas kësaj godine janë groposur trupa njerëzish të pushkatuar. Gërmimet për gjetjen e trupave të të pushkatuarëve kanë qenë të fundit që janë zhvilluar në vitin 2011-të. Ndërkohë që flitet se ka edhe të tjerë që janë të groposur këtu.
Në vitin 2011 është bashkëpunimi I parë mes instutucioneve qeveritare dhe familjarëve të të zhdukurve që bëhet e mundur gjetja e eshtrave të Tom Ndojes dhe Sokol Sokolit. Ata u pushkatuan për organzimin e Revoltes së Qaf Barit që ndodhi në maj të 1984. Familjarët e tyre tashmë kanë një varr ku të qajnë.
Po nuk patën të njëtin fat famijarë mes tyre dhe dy të mitur të Ndoc Ashtës.
“Nga 11, 3 prej të cilëve nuk ju dihet varri! Është Gjeloshi që është pushkatuar në Rrmaj, është Gegë Zefi djali I Zef Delisë ka shkuar në internim rreth dy vjeç dhe në moshën 3 vjeç ka vdek, e kanë marrë me karrocë ndër sy të nanës dhe pjestarëve të familjes, e kanë marrë me karrocë dhe nuk dihet se ku e kanë hedhur apo varrosur, dhe me thanë drejtën edhe kjo është e pa mundur që të gjendet, qoftë nga mosha që ka qenë 4 vjeç qoftë nga mënyra, sepse është marrë nuk është lejuar percjellja as nga e ëma as nga askush, e kanë vendosur në një karrocë dhe e kanë hedh dikun në ndonjë kanal apo gropë. Zoti e merr vesh. Dhe në 1990 ne kemi vajzen 11 vjece Liljanen e cila niset me të atin, me nanen me gjyshen me vëlleznit niset me mendimin se po kalojnë në Jugosllavi. Dhe një skuadër pushkatimi pjesë e postës kufitare që ishte në atë kohë në Derragjat pa bërë ndalim fare I gjuan me pushkë. Vritet vajza Liljana, vritet babai I saj Pali vritet edhe gjyshja Zade, vritet edhe daja po nga Derragjati I Djaçit. Të tre I varrosin në Ulqin dhe ne I kemi marr pas 5 vjetësh, ndërsa vajzen 11 vjeçe Liljana mesa duket ka rënë në ujë në lumin Buna dhe nuk është gjetur.” tha Ndoc Ashta.
Jo vetëm varret por mungojnë harta apo dokumenta ndaj bilanci i krimeve nuk është bërë as në 30 vite.
“Në atë kohë shumë gjëra ndoshta I kanë bërë me qellim për të mos I gjetur ku janë, janë zhdukur me qellim. Sepse është shumë interesante në proceset që janë bërë gjithçka është regjistruar, pastaj kur janë varrosur. Flas për rastin e Dom Mikel Beltoja nga Beltoja, ai dinë ai e dinë,Frati ka shkuar dhe në fund askush nuk thotë asgjë.”tha Masafra.
“Kur asht pushkatu një njeri ka kenë pjesmarrja, Kryetari deges, Kryeprokurori I rrethit, shefi I hetuesise, sjhkuadra e pushkatimit. Si mos me dal dikush nga ata sidomos në këtë kohë që nuk ka përgjegjësi dhe pasoja me dal me thanë që në filan vend është pushkatuar x person.”tha Zenel Drangu.
“Ne do të dëshironim, sepse unë jam rritur me gjyshen dhe gjyshja ime thoshte sikur edhe eshtrat të më lënë tja preki dhe me I çu aty ku ne njëherë në vit derdhim lotë tek eshtrat e tij duket sikur ai vjen gjallë, pra një marak jo vetem I gjyshes që e kishte djal, por I gjithë ne si familje. Dyshojmë se është e pa mundur për fatin e keq.”tha Ndoc Ashta.
“Me kam informacion që në ministri ndodhen disa dokumenta që nga 1945 deri në pushkatimin e fundit që asht ba nga ai regjim, I kanë të skicueme vendet”.tha Armando Pali.
“Unë di nga dëshmitë e ndryshme se pas viteve 90 shumë njerëz janë taku me pjesmarrës, ushtarë që kanë qenë pjesë e egzekutimeve nuk kanë prefer të tregojnë, arsye nga më të ndryshmet, nuk e di nuk e mbaj mend, nuk kam qënë unë.”tha Pjerin Mirdita.
Duket se dhe presioni I shoqërisë është I vaktët pasi koha po kalon, brezat po ndryshojnë dhe kultura po trasformohet.
“Nisma për të gjetur eshtrat e këtyre personazheve është një detyrim i shoqërisë Shqiptare për ti dhënë së paku një varr që e ka gjithsecili në këtë botë.”tha Qamil Gjyrezi.
“Kanë ndryshu shumë gjana, unë e shoh shumë të vështirë këtë fazë të evidentimit apo pse jo të rikuperimit të eshtrave.” tha Pjerin Mirdita.
4500 persona në gjithë vendin rezultojnë të pa gjetur, 401 vetëm në Shkodë. Ka vetëm gjurmë dhe vullnet shumë pak.
“Janë shumë vite që nga viti 1992 po të kishin pas vullnetin e mirë do ti kishin zbardhur. Por siç duket është neglizhencë e madhe e të gjitha qeverive që nuk kanë dasht me punu ose me zbardh krimet e komunizmit.”tha Amarildo Pali.
Nëse shumë nga të vrarët nuk kanë një varr e të tjerë kanë vdekur nëpër burgje, gjurmët I kanë lënë në mbarë vendin. Kanë ndërtuar veprat më të mëdha të kohës. Shumë prej tyre janë funksionale dhe ju shërbejnë qytetarëve edhe sot. /abcnews.al/