Sfida mes Valencia dhe “Galaktikëve” të Real Madrid, e së shtunës që sapo lamë pas, ishte padyshim padyshim një ndër përballjeve që shkaktoi më shumë polemika, në javët e fundit të kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga, me arbitrin, Jesus Gil Manzano, që i fërshellur bilbilit vetëm pak sekonda para se Jude Bellingham të shënonte golin e fitores për “Los Blancos”.
Ky veprim irritoi jo pak lojtarët e rekordmenëve spanjollë, ku një ndër më të irrituarit ishte vetë “fantazisti” anglez, i cili menjëherë shpërtheu në proteste ndaj “ligjvënësit” spanjoll, me këtë të fundit, që nuk e kurseu aspak 22-vjeçarin, duke e ndëshkuar me kartonin e kuq, karton që i kushtoi jo pak Bellingham, i cili do të mungojë për dy sfidat e radhës në kampionat.
Për këtë vendim të La Liga, së fundmi, një koment të shkurtër e ka bërë edhe vetë “ylli” anglez, i cili ashtu si në momentin e ndëshkimit me kartonin e kuq u shpreh gjatë një interviste se nuk kishte thënë asgjë fyese në drejtim të kryesorit të sfidës, megjithatë më tej shtoi se do ta pranonte “kokëulur” vendimin, teksa u shpreh se do t’i mbështesë shokët e tij të skuadrës, nga tribuna.
“Ajo që ndodhi lidhet me arbitrin dhe vendimin e tij për të fishkëllyer. Duhet të kujtojmë se ai është njeri, por edhe unë. Ata duhej të përdornin më shumë sens të përbashkët për të vlerësuar veprimet e mia. Nuk thashë asgjë fyese. Dhe fjalët e mia nuk ishin të ndryshme nga ato që thanë shokët e mi.
Mendoj se ndonjëherë duan të më japin një mësim sepse kam ndryshuar kohët e fundit. Unë jam përgjegjës për veprimet e mia. Nuk jam krenar për to, por mendoj se dy ndeshje për këtë janë qesharake. Nëse dënimi mbetet i tillë, unë duhet ta pranoj këtë përgjegjësi. Gjithësesi do të brohoras nga tribuna”,- u shpreh “fantazisti” i “Los Blancos”.
Ndërkaq, kujtojmë se Bellingham do të mungojë në dy sfida tejet të vështira, që “Galaktikët” kanë në kalendarin e kampionatit spanjoll të futbollit, ku fillimisht do të presin skuadrën e Celta Vigo, në “mitikun” e Madridit, “Santiago Bernabeu” e më tej do të udhëtojnë drejt transfertës së Osasuna, teksa pritet të jetë në dispozicionin e teknikut, Ancelotti, për përballjen ndaj “Baskëve” të Athletic Bilbao. /i.m /abcnews.al