“U përpoqa të shpëtoja pilotët, por humba ndjenjat”, peshkatari hero flet pas rrëzimit të avionit në Tanzani

schedule15:12 - 7 Nëntor, 2022

schedule 15:12 - 7 Nëntor, 2022

Të paktën 19 persona humbën jetën pasi një avion pasagjerësh nga Tanzania u përplas në liqenin Victoria pranë qytetit veriperëndimor të Bukoba ditën e djeshme. Avioni thuhet se kishte 43 pasagjerë, 26 prej të cilëve janë shpëtuar dhe janë dërguar në spital, sipas BBC.

Pamjet e para nga vendngjarja tregojnë avionin pothuajse plotësisht të zhytur nën ujë.

Ndërkohë një peshkator ka përshkruar se si u përpoq të shpëtonte pilotët që kishin ngecur në kabinë dhe se rrezikoi jetën në një përpjekje për t’i shpëtuar ata.

Majaliwa Jackson është shpallur zyrtarisht hero, dhe është shpërblyer me 1 milion shilinga (430 dollarë) dhe i është ofruar një punë në brigadën e zjarrfikësve dhe shpëtimit për përpjekjet e tij.

Duke folur për BBC-në nga shtrati i tij i spitalit në qytetin buzë liqenit të Bukoba-s, përpara njoftimit të qeverisë, Jackson tha se e zuri paniku teksa pa avionin e pasagjerëve që po afrohej përpara se të zhytej në liqen.

Ai nxitoi në vendngjarje me tre kolegë të tij peshkatarë, duke thyer derën e pasme për të nxjerrë pasagjerët e ulur në pjesën e  pasme të avionit. Jackson tha se ai më pas u zhvendos në pjesën e përparme dhe u zhyt në ujë.

Ai dhe një nga pilotët më pas komunikuan me njëri-tjetrin me shenja përmes dritares së kabinës.

“Më udhëzoi të thyeja dritaren. Dola nga uji dhe pyeta nëse kishte ndonjë mjet që mund të përdornim për të thyer dritaren.

Një nga pilotët i tregoi derën e urgjencës së kabinës. Ai noti dhe mori një litar, e lidhi në derë dhe u përpoq ta tërhiqte me varka, por litari u këput, duke e goditur në fytyrë dhe duke e lënë pa ndjenja.

“Gjëja tjetër që  mbaj mend është  se isha spital”, tha Jackson.

Të dy pilotët janë ndër 19 viktimat e konfirmuara pasi avioni – i drejtuar nga Precision Air, linja ajrore më e madhe private e Tanzanisë u rrëzua pranë bregut të liqenit.

Avioni  po shkonte nga qyteti më i madh i Tanzanisë, Das es Salaam, në Bukoba kur raportohet se hasi në një stuhi, gjë që ka bërë që pilotët të humbasin kontrollin dhe avioni të përfundonte në ujë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!