Një grup alpinistësh kërkuan ndihmë pasditen e sotme në policinë e Gjirokastrës për shkak të një incidenti në malin e Murganës, mbi fshatin Sotirë, pranë kufirit me Greqinë.
Abcnews.al mëson se grupi prej 20 personash ndodhej në malin e Dropullit, por gjatë ngjitjes njëri prej tyre, E. K. 17-vjeç theu këmbën.
Në këto kushte, alpinistët kërkuan ndihmën e policisë për ta transportuar nga ajri me helikopter pasi terreni është shumë i vështirë.
Policia e Gjirokastrës i tha Abcnews.al se efektivë të forcave “Shqiponja” dhe Forcat e Ushtrisë u ngjitën në mal, rreth 1200 metra duke e marrë adoleshentin që theu këmbën.
I lënduari po transportohet në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa ndihmë u është dhënë edhe pjesëtarëve të tjerë të grupit.
“Aktualisht po ndihmohen nga shërbimet e policisë, ku po transportohen me mjetet e policisë drejtë fshatit Sotirë dhe asnjë prej tyre nuk ka rrezik për jetën” tha policia./ db/Abcnews.al