Pas “aventurave” të kaluar te skocezët e Rangers dhe anglezët e Aston Villa, tashmë “legjenda” e mesfushës së Liverpool, Steven Gerrard ka marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës nga Arabia Saudite, Al-Ettifaq.
Gjatë një interviste për mediat e klubit, Gerrard tregoi sesi mori vendimin për të marrë drejtimin e skuadrës saudite, si dhe vlerësoi jo pak mikëpritjen saudite, në momentin që ai erdhi të marrë detyrën e re.
“Ka pasur shumë arsye pse doja të bashkohesha me klubin. Këtu ka shumë njerëz të mirë, duke filluar nga menaxhmenti. Me të mbërritur në Arabinë Saudite u ndjeva vërtet pjesë e familjes, e ndjeva se isha shumë i mirëpritur.
Janë tre faktorë që unë i konsideroj gjithmonë, dhe ata shkojnë në atë renditje. Së pari, opsioni duhet t’i përshtatet familjes sime, mundësia e re duhet të na frymëzojë dhe motivojë. Së dyti, një projekt futbolli duhet të jetë ambicioz, i përshtatshëm për mua për sa i përket detyrave dhe objektivave. Së fundi, ju duhet një ndjenjë sigurie, që keni kontratën e duhur, por ky është gjithmonë faktori i fundit”,- tha Gerrard. /i.m /abcnews.al