Bashkia e Shkodrës ka reaguar sot lidhur me situatën e krijuar në tregun Zdrales ku 88 tregtarë kanë mbetur pa punë, duke theksuar se duhet gjetur një zgjidhje për vënien në dispozicion të hapsirave të përshtatshme për tregtim dhe krijimin e kushteve të nevojshme.
Ajo thotë se po punohet për të siguruar hapsirën për të gjithë duke mundësuar fillimin e vendosjes sa më shpejt të tezgave në vendet e tregtimit.
“Bashkia Shkoder ka bashkëbiseduar disa herë me tregtarët e Zdrales. Kushtet e tregtimit në rrugë, aq më shumë në një situatë pandemie të krijuar nga COVID-19, janë të papranueshme për shëndetin e qytetarëve, por edhe vetë tregtarëve. Kërkohen kushte rigoroze higjienike, jo vetëm në hapësira publike, por edhe në dyqane. Kësisoj tregtimi në rrugë nuk lejohet.
Ndërkohë është shumë e domosdoshme që në Shkodër, aq më shumë në kushtet e vështirësive ekonomike, të gjejmë mundësi e lehtësi për ti ofruar fermerëve e tregtarëve për të punuar e jetuar. Ky është një problem që kërkon zgjidhje.
Të ndodhur në këto kushte, për 88 tregtarët e Zdrales, prej të cilëve rreth 10 janë të regjistruar dhe kanë paguar detyrimet, sipas legjislacionit në fuqi, ka vijuar puna për gjetjen e një zgjidhjeje më të qëndrueshme. Po komunikohet me palë të treta, për vënien në dispozicion të hapësirave të përshtatshme për tregtim dhe krijimin e kushteve të nevojshme për tregtim, me sinjalistikën e nevojshme horizontale dhe vertikale, kushtet higjienike, për shitjen ditore të produkteve bujqësore të fermerëve.
Në këtë linjë, po punojmë për të siguruar hapësirën për të gjithë duke mundësuar fillimin e vendosjes sa me shpejt të tezgave në vendet e tregtimit për fermerët, në hapësirën e lejueshme për ushtrim aktiviteti tregtar. Me qëllimin për të ruajtur traditën e tregtimit në një zonë që ka fluksin dhe peshën më të madhe të tregtimit për produktet bujqësore, blegtorale, kemi verifikuar mundësinë e vendosjes së tregut në të njëjtën zone”, deklaron Bashkia e Shkodrës./abcnews.al