Koreja e Veriut zyrtarisht ka dalë me një qëndrim sa i përket akuzave nga SHBA-të, se në zonën e demilitarizuar me Jugun, kanë rrëmbyer ushtarin amerikan Travis King.
Pheniani zyrtar hedh poshtë akuzat dhe pretendon se ushtari amerikan Travis King kaloi në territorin e tyre muajin e kaluar për shkak të “keqtrajtimit çnjerëzor dhe diskriminimit racor” në ushtrinë amerikane.
Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA nuk ka dhënë asnjë informacion shtesë për mënyrën se si Veriu planifikon të trajtojë King, apo nëse ai do të përballej me ndjekje penale ose ndonjë dënim.
Sipas tyre, ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për të kërkuar strehim kudo në një vend të tretë, pasi ishte i zhgënjyer nga shoqëria e pabarabartë amerikane.
Megjithatë, Uashingtoni tha se nuk mund të verifikonte pretendimet, të cilat janë komentet e para publike të Phenianit për rastin.
Duke iu përgjigjur raportit të Koresë së Veriut të mërkurën, një zyrtar i Pentagonit tha se prioriteti i tyre ishte që Travis King të sillej në shtëpi i sigurt “përmes të gjitha kanaleve të disponueshme“.
Shqetësimet janë rritur për mirëqenien e ushtarit amerikan, i cili nuk është dëgjuar dhe parë që nga kalimi i kufirit, ndërsa SHBA po përpiqet të negociojë lirimin e tij me ndihmën e Komandës së OKB-së, e cila drejton zonën kufitare dhe ka një linjë telefonike të drejtpërdrejtë me ushtrinë e Koresë së Veriut.
23-vjeçari kaloi kufirin nga Koreja e Jugut më 18 korrik, teksa ndodhej në një tur udhërrëfyes në zonën e demilitarizuar.
/abcnews.al