U largua drejt Maldiveve pas protestave në vend, ish-presidenti i Sri Lankës paralajmëron rikthimin në atdhe

schedule14:27 - 18 Gusht, 2022

schedule 14:27 - 18 Gusht, 2022

Ish-presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, i cili u largua nga vendi për shkak të protestave masive, për shkak të krizës së rënduar ekonomike pritet të kthehet në vend javën e ardhshme, shkruan CNN.

Ministri i Jashtëm, Ali Sabry ka bërë me dije se qeveria e Sri Lankës është njoftuar të mërkurën për kthimin e Rajapaksa “përmes kanaleve diplomatike”. Udayanga Ëeeratunga, një ish-ambasador i Sri Lankës në Rusi, u tha gazetarëve se ish-udhëheqësi do të kthehej më 24 gusht.

Rajapaksa është në Tajlandë pasi u arratis nga Sri Lanka në korrik me një avion ushtarak për në Maldive dhe më pas udhëtoi për në Singapor, disa ditë pasi protestuesit e zemëruar sulmuan rezidencën dhe zyrën e tij, raporton abcnews.al.

Dorëheqja e ish-liderit ishte një moment historik për kombin prej 22 milionë banorësh, të cilin anëtarët e familjes Rajapaksa e sunduan me dorë të hekurt për gati dy dekada.

Zemërimi në Sri Lanka është rritur prej muajsh pasi rezervat valutore të vendit ranë në nivele rekord, borxhi u thellua për shkak të pagesave të importeve, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantin.

Presidenti i Sri Lankës Ranil Wickremesinghe thuhet se deklaroi në fund të korrikut se “nuk ishte koha e duhur” që Gotabaya Rajapaksa të kthehej në vend pasi mund të nxiste tensione politike.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!