U gjet 140 vjet më parë, zbulohet fytyra e Amenhotep I

schedule09:22 - 29 Dhjetor, 2021

schedule 09:22 - 29 Dhjetor, 2021

Falë teknologjisë doli në dritë fytyra e faraonit Amenhotep I (Amenophis I), i cili sundoi në Egjiptin e lashtë nga viti 1525 deri në 1504 para Krishtit. Mumja e tij u gjet 140 vjet më parë në zonën Deir al-Bahari, përballë Luxor. Arkeologët, megjithatë, hezituan ta hapnin atë, duke dashur të mbanin të paprekur maskën e mrekullueshme funerale dhe fashat me të cilat ishte mbështjellë trupi.

Kështu, mumja iu nënshtrua një skanimi CT duke zbuluar sekretet e saj. Dr Sahar Saleem, profesoreshë e radiologjisë në Universitetin e Kajros dhe autore e studimit të botuar në revistën shkencore Frontiers in Medicine, ka treguar se Amenhotep I vdiq në moshën 35-vjeçare. “Ishte rreth 169 cm i gjatë dhe dhëmbët i kishte në gjendje të mirë”, tregon ai. “Ai gjithashtu kishte veshur rreth tridhjetë amuletë dhe një rrip ari të përpunuar me rruaza krejt prej ari. Faraoni duhet të jetë dukur si babai i tij. Ai kishte një mjekër të ngushtë, një hundë të vogël, të ngushtë dhe flokë kaçurrela, ndërsa dhëmbët në nofullën e sipërme ishin pak të hedhur”.

Dr. Saleem nuk gjeti lëndime apo deformime në trupin e pajetë që mund të kishte sjellë vdekjen. Megjithatë, kishte lëndime pas vdekjes që ndoshta ishin shkaktuar nga grabitësit që përpiqeshin t’i grabisnin varrin.

Ekzaminimi i mumjes pritet t’u japë shkencëtarëve informacione të vlefshme për procesin e mumifikimit në atë kohë. Në fund të fundit, Amenhotep I ishte faraoni i parë që u gjend me krahët e mbledhur në gjoks, ndërsa truri i tij nuk ishte hequr, diçka e rrallë.

Së fundi, Dr. Saleem vuri në dukje se ekzistenca e bizhuterive dhe amuleteve hedh poshtë teoritë sipas të cilave priftërinjtë i hoqën ato për t’ia dhënë faraonëve të ardhshëm. Arkeologët vlerësojnë, bazuar në dekodimet dhe paraqitjet hieroglifike, se priftërinjtë e dinastisë së 21-të, në shekullin e 11 para Krishtit, ishin të parët që zbuluan mumjen për të trajtuar dëmet e shkaktuara nga varrmihësit dhe për të rivendosur shkëlqimin e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!