Partia Alternativa vendosi që të bëhet pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Alternativa, që drejtohet nga Afrim Gashi, deri tani ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët. Hyrjen në Qeveri partia Alternativa e arsyetoi me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, në veçanti me procesin e integrimit evropian. Mediat shqiptare në Shkup kanë zbuluar paktin e Gashit me Zaev për futjen në qeveri që përfshin 47 poste nga ministritë te drejtoritë.
VMRO-DPMNE tha se beson se kjo qeveri nuk ka legjitimitet për të drejtuar vendin dhe se shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por Zaev ka deklaruar se nuk dëshiron që në Maqedoninë e Veriut të thellohet kriza politike, në kohën kur vendi është ende optimist se në dhjetor do të arrijë marrëveshje me Bullgarinë për heqjen e vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian./ Abcnews.al