Dejan Kulusevski është një nga investimet e Juventusit për të ardhmen. Bardhezinjtë shpenzuan në total 44 milion euro tek Atalanta (35+9 në formë bonusesh) dhe 20-vjeçari do të zbarkojë në verë në Torino, pasi të përfundojë huazimin te Parma, aty ku luan me Kastriot Dermakun.
Lojtari i lindur në Suedi por me origjinë nga Maqedonia e Veriut, ka dhënë një rrëfim interesant në lidhje me numrin që mban në fanellë. Frymëzimin e mori nga një shqiptar, i cili debutoi në moshën 18-vjeçare me Manchester United.
“Isha në Suedi, po shihja një ndeshje të Manchester United në televizor dhe fiksova debutimin e Januzajt. Ai hyri në fushë me një personalitet të jashtëzakonshëm, edhe pse ishte ndeshja e tij e parë si profesionist.
I thashë babait se edhe unë doja të isha i tillë, doja të luaja në atë mënyrë. U lidha me numrin 44, lexova disa gjëra dhe u dashurova me atë numër”, deklaron Kulusevski për Sky Sport. Të dy luajnë në të njëjtin rol, atë të sulmuesit të djathtë.
Lojtari debutoi nëntorin e vitit të kaluar me kombëtaren suedeze dhe rrëfen edhe një tjetër fiksim të tij. “I luaj të gjithë ndeshjet me çamçakëz në gojë, më bën të ndihem më i qetë. Një ditë, fizioterapisti im më tha që nuk ishte diçka e mirë. Kam vendosur të mos e bëj më në ndeshjet e ardhshme“, komenton talenti i Juventusit. /abcnews.al