U dërgohen oferta false lojtarëve nëpër botë, “acarohen” te Drenica

schedule13:17 - 14 Janar, 2021

schedule 13:17 - 14 Janar, 2021

Në Kosovë, ashtu si në gjithë Europën është hapur merkato e dimrit dhe skuadrat po lëvizin për të sjellë lojtarët e duhur. Një nga klubet më aktive në Dardani është Drenica, e cila ka vënë në shënjestër skuadrat e Kategorisë Superiore.

Por së fundmi klubit nga Skënderaj i ka ndodhur diçka e pazakontë. Në adresë të lojtarëve brenda dhe jashtë Kosovës kanë shkuar ftesa false, ku persona të paidentifikuar bëjnë ftesa apo oferta false ndaj lojtarëve të ndryshëm për t’u bërë pjesë e Drenicës.

Ky veprim duket se i ka krijuar probleme klubit të njohur dhe përmes një postimi në rrjetet sociale presidenti i Drenicës, Ilir Veliqi, mban qëndrim dhe i kërkon FFK të ndihmojë në eliminimin e një fenomeni të tillë.

DEKLARATA – Sqarim për opinionin publik dhe mediat! Ditëve të fundit në adresë të FC Drenica, por edhe të FFK-së, dhe nëpër instanca të ndryshme, kanë filluar serish të qarkullojnë disa ftesa false, sikurse muaj me parë. Klubi futbollistik ‘Drenica’, është në koordinim të plotë më FFK-në, në mënyrë që të gjej mashtruesit që po merren më ftesa të tilla.

Ne si klub, nuk kemi të bëjmë asgjë më këto ftesa për futbollistë nga shtete të ndryshme të botës, dhe të tilla ftesa nuk janë të bëra nga ana e KF Drenica, por nga njerëz të cilët janë të pandërgjegjshëm dhe mashtrues.

Duke ju referuar situatës, KF Drenica, apelon të FFK-ja, dhe organet e rendit që të merren me rastin dhe që ta zbardhin këtë situatë, në mënyrë që emri dhe imazhi i klubit tonë dhe i FFK-së, të mos keqpërdoret nga persona të pandërgjegjshëm.

Transferimet e klubit tonë, kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë publike, dhe për çdo futbollistë të transferuar ose që jemi në kërkim si për ato vendore ashtu edhe për ato ndërkombëtare, KF Drenica, i realizon përmes sistemeve digjitale në të cilat edhe FFK-ja, ka qasje dhe i monitoron vazhdimisht, andaj jashtë kësaj, KF Drenica, nuk dërgon ftesa për futbollistë në forma të tilla siç janë prezantuar kohëve të fundit (shih foton).

Ju bëjmë thirrje edhe njëherë , FFK-së, por edhe organeve shtetërore që të merën me rastin në fjalë, pasi që edhe klubi jonë po ka shqetësime nga persona të papërgjegjshëm që po merren më gjëra të tilla, që nuk kanë të bëjnë fare me klubin tonë.

Ne jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim më FFK, për çdo dukuri negative që dëmton imazhin dhe reputacionin e klubit por edhe të futbollit tonë në përgjithësi. (Në foto është ftesa e cila po qarkullon nëpër rrjete sociale dhe e-maile te klubit). Me Respekt, z. Ilir Veliqi, President i FC Drenica. /abcnews.al