Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi ka denoncuar se një nga përfaqësueset e Partisë Socialiste është filmuar duke shënuar në fletët e votimit në njësinë nr.1 në Tiranë. Për këtë arsye procesi i numërimit është ndalur deri në sqarimin e këtyre pretendimeve.
Ndërkohë Bumçi ka ngritur shqetësimin se në këto zgjedhje po dalin shumë vota të pavlefshme, pasi sipas tij është një rekord. Ai ka shtuar se shumica e votave të pavlefshme janë të Partisë Demokratike.
“Përfaqësuesja jonë në një nga tavolinat por edhe vëzhgues të tjerë vunë re që përfaqësuesja e Partisë Socialiste ka shënuar në fletët e votimit. Kemi dhe pamje të filmuara me telefon në lidhje me këtë shkelje. Ne kemi besim te fitorja jonë, por ky është një akt i rëndë.
Në këto zgjedhje vihet re një numër rekord fletësh të pavlefshme. 60 mijë fletë që janë shpallur të pavlefshme janë afërsisht 10 mandate. Në shumicë e fletëve të pavlefshme mbizotëron Partia Demokratike dhe një subjekt tjetër, ku shumica e fletëvotimeve janë të shkruara nga dy herë.
Nëse ne lidhim këtë ngjarje me këtë fenomen atëherë kjo është shqetësuese. Unë nuk po ngre konkluzione por ngre një shqetësim, i cili më pas duhet parë”, tha Bumçi. /abcnews.al/