U burgos padrejtësisht për tentativë vrasjeje ndaj 6 nxënësve, lirohet pas 33 vitesh amerikani

schedule12:52 - 26 Maj, 2023

schedule 12:52 - 26 Maj, 2023

Një burrë nga Kalifornia, i cili u dënua padrejtësisht për tentativë vrasjeje ndaj gjashtë nxënës të shkollës së mesme në një sulm me armë zjarri në vitin 1989, u lirua pas 33 vitesh burg.

Daniel Saldana u shpall i pafajshëm nga Prokuroria e Qarkut të Los Anxhelosit  të enjten, siç njoftuan autoritetet lokale. 55-vjeçari u dënua në vitin 1990 se kishte sulmuar me armë një makinë që ndodheshin gjashtë adoleshentë.

Grupi i adoleshentëve sapo kishte mbaruar një lojë futbolli në shkollë në Baldwin Park, në lindje të Los Anxhelosit. Nga sulmi i përgjakshëm në fund të viteve ’80 mbetën të plagosur dy prej tyre, të cilët për fat të mirë mbijetuan.

Autoritetet më pas pohuan se sulmuesit ngatërruan adoleshentët me anëtarë të bandës, prandaj qëlluan.

Saldana ishte 22 vjeç kur ndodhi ngjarja në vitin 1989 dhe punonte si punëtor ndërtimi. Ai ishte një nga tre personat e akuzuar për sulmin. Në fund, ai u dënua për gjashtë akuza për tentativë vrasjeje dhe u dënua me 45 vjet.

/abcnews.al