“U braktisa pa lindur, humba nënën, babanë që më rriti dhe djalin tim 3-muajsh… Sot jam në prag divorci.” Kjo është historia tronditëse e Xheni Kullës, një gruaje që jeta e ka vënë përballë sprovave më të rënda, por që ende gjen forcën të ecë përpara.
Historia e saj nis që përpara se të vinte në jetë. Kur nëna ishte në muajin e tetë të shtatzënisë, babai biologjik i braktisi dhe nuk u interesua më për të bijën deri kur ajo ishte 21 vjeç. Pas lindjes, familja kishte vendosur që foshnja të dërgohej në jetimoren e Durrësit, por fati mori një tjetër rrjedhë. Nëna e mori në krahë dhe u strehua te familja e vëllait të saj, duke i dhënë Xhenit mundësinë të rritej pranë njerëzve që e donin.
Kur ishte vetëm tre vjeçe, në jetën e saj hyri Fadili, bashkëshorti i dytë i nënës. Edhe pse i verbër dhe shumë më i madh në moshë, ai u bë babai që Xheni nuk e pati kurrë nga gjaku. Ai e rriti me dashuri, ngrohtësi dhe përkujdesje, duke e thirrur gjithmonë me përkëdheli “Rosa ime”.
Por lumturia nuk zgjati shumë. Në vitin 2009, nëna e saj humbi jetën në një aksident. Vetëm pesë vite më vonë, Xheni u përball me një tjetër goditje të rëndë, ndarjen nga jeta të Fadilit, njeriut që i kishte dhënë dashurinë atërore dhe që e kishte rritur si vajzën e tij.
Pavarësisht dhimbjes, ajo nuk u dorëzua. Me sakrifica përfundoi studimet e larta për Punë Sociale dhe besoi se më në fund po ndërtonte jetën që kishte ëndërruar. Njohu bashkëshortin e saj, krijoi familje dhe mendoi se periudha më e errët kishte mbetur pas.
Por sprova më e madhe sapo kishte ardhur. Djali i saj, Rosieli, lindi me probleme të rënda shëndetësore. Ai erdhi në jetë me deformime në fytyrë, vështirësi në frymëmarrje dhe komplikacione të shumta. Për më shumë se një muaj e gjysmë, familja luftoi mes spitaleve të Durrësit dhe Tiranës, ndërsa mjekët nuk jepnin shumë shpresa. Gjatë kësaj beteje të dhimbshme, vogëlushi pësoi edhe infarkt në zemër.
Vetëm tre muaj pas lindjes, Rosieli mbylli sytë përgjithmonë. Për Xhenin, kjo ishte humbja që i shembi botën. Sikur të mos mjaftonin plagët e së kaluarës, sot ajo ndodhet edhe përballë një tjetër sfide të vështirë: është në prag divorci. Megjithatë, mes gjithë dhimbjeve, ajo zgjedh të mos dorëzohet.
“Kam humbur njerëzit më të shtrenjtë të jetës sime, kam kaluar braktisje, dhimbje dhe sprova që nuk ia uroj askujt. Megjithatë besoj se historia ime është dëshmi se edhe pas plagëve më të thella, njeriu vazhdon të ecë përpara, duke mbajtur në zemër kujtimet dhe dashurinë për ata që nuk janë më,” shprehet ajo./abcnews.al



