Nga Xhensila Kodra
Shoferi i kamionit ku u sekuestruan 282 mijë e 265 euro të vendosura në pjesë të ndryshme të mjetit, ka mohuar të kishte dijeni për to. Ferdinant Murikaj nga Lezha i tha policisë së Durrësit se nuk ka lidhje me paratë e gjetura në kamionin që ai drejtonte, i nisur dy ditë më parë nga Itali drejt vendit tonë. Shuma e parave u sekuestrua në portin e Durrësit nga Policia Kufitare, ndërsa në kërkim është shpallur pronari i kompanisë që merrej me transportin e makinave.
Dëshmia e Erjon Jovanit, pritet të hedhë edhe më shumë dritë mbi hetimet që po kryen prokuroria e qytetit bregdetar. Jovani ka qenë i proceduar penalisht për trafik narkotikësh pasi në 2016 ka tentuar të trafikojë me kamionë në Itali 190 kg kanabis. Të premten, policia procedoi në gjendje të lirë edhe shoferin e kamionit të dytë të firmës së Jovanit, Aldo Likën nga Lushnja, pasi në çantën personale iu gjetën 11 mijë e 765 euro.
Hetuesit kanë dyshime se shuma e eurove të sekuestruara u përkasin grupeve kriminale që ushtrojnë aktivitete të jashtëligjshme në vendet e BE. Paratë dyshohet të kenë ardhur nga veriu i Italisë, ndërsa në pakot e eurove ndodheshin edhe kodet “Bologna 50” dhe “Bergamo 75”. Për këtë gjë, policia shqiptare po bashkëpunon me autoritetet italiane për të hedhur dritë se ku kujt i përket vlera e rreth 300 mijë eurove të bllokuara në port./ db/Abcnews.al