U bëri thirrje besimtarëve të ‘agjërojnë deri në vdekje’, pastori në Kenia akuzohet për 238 vrasje

schedule17:58 - 23 Janar, 2024

schedule 17:58 - 23 Janar, 2024

Pastori i vetëshpallur, Paul Dhenge Mackenzie, i cili tashmë ishte ndjekur penalisht për “terrorizëm”, akuzohet gjithashtu për “vrasje nga pakujdesia” pas vdekjes së 429 ndjekësve të sektit të tij, të cilët ai i bindi të agjëronin deri në vdekje.

Mackenzie dhe 94 të akuzuarit e tij, përfshirë gruan e tij, u deklaruan “të pafajshëm” pasi u akuzuan për 238 akuza për “vrasje nga pakujdesia” në një gjykatë në Mombasa, më shumë se nëntë muaj pasi viktimat e para u identifikuan në pyllin Sakahola, ku kishte qenë aktive “Kisha Ndërkombëtare e Lajmit të Mirë” ungjillore.

Prokurorët njoftuan më 16 janar se duan të ndjekin penalisht rreth dhjetë vepra kundër të akuzuarve për “masakrën e Sakaholës”, që tronditi Kenian pranverën e kaluar. Dy ditë më vonë Mackenzie u ndoq penalisht për “lehtësim të kryerjes së një akti terrorist”, “pjesëmarrje në veprimtari të organizuar, kriminale” dhe “radikalizim”. Një gjykatë tjetër, në qytetin e Malindit, urdhëroi një ekzaminim psikiatrik për pastorin dhe 30 të bashkëakuzuarit e tij përpara se të shqyrtonte ndjekjen e tij për vrasje. Seanca u caktua për më 6 shkurt.

Të enjten mund të ngrihen ndjekje penale të reja ndaj të akuzuarve për krime ndaj fëmijëve të vegjël.

Mackenzie, i cili ishte një shofer taksie derisa themeloi kishën e tij, është arrestuar që nga 14 prilli 2023. Një ditë më parë, trupat e parë të besimtarëve u gjetën në pyllin Sakahola. Në ditët në vijim u gjetën gjithsej 429 trupa dhe disa nga adhuruesit besohet se kanë vdekur shumë vite më parë.

Shumica e viktimave vdiqën nga uria pasi ndoqën predikimin e Mackenzie që u kërkonte të agjëronin deri në vdekje për të “takuar Jezusin” përpara se të vinte fundi i botës, gjë që ai parashikoi se do të ndodhte në gusht 2023. Disa nga viktimat, përfshirë fëmijët, u mbytën ose u rrahën deri në vdekje.

Zbulimi i skandalit i vuri në siklet autoritetet keniane sepse nuk e ndaluan pastorin e supozuar, edhe pse ai ishte arrestuar disa herë në të kaluarën për shkak të predikimeve të tij ekstremiste./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!