Inspektori tatimor i arrestuar këtë të enjte, para 5 vitesh ka qenë një ndër personat që është dhunuar fizikisht në krye të detyrës, nga pronari i një subjekti pasi i kishin vendosur gjobë.
Burime për Abc News bëjnë me dije se 37 vjeçari i arrestuar Erjon Trungu, është një nga dy inspektorët e dhunuar në Tiranë në vitin 2015, nga pronari i një biznesi me iniciale F.S. së bashku me mikun e tij F.K.
Konflikti ka ndodhur tek stadiumi “Selman Stërmasi”, pranë një lokali, pasi Trungu së bashku me kolegun e tij ngaqë kishin konstatuar parregullsi në biznesin e shtetasit F.S. , i cili kishte kohë që e mbante fikur kasën fiskale.
LEXO EDHE:Akuzohet për korrupsion, SPAK vë në pranga inspektorin e tatimeve në Tiranë
Ndërkohë këtë të enjte 37 vjeçari me detyrë inspektor tek Tatimet ka rënë në prangat e policisë për shkak të korrupsionit.
Njoftimi i policise:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Tatimori”.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
Vihet në pranga 1 shtetas, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Tatimori”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:
-E. T., 37 vjeç, me detyrë inspektor në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas iu kërkonte dhe iu merrte shuma të konsiderueshme monetare subjekteve të ndryshme private, si këmbim për të mos i hetuar dhe mos i referuar në prokurori, kur këto subjekte konstatoheshin në shkelje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma monetare prej 5000 eurosh, të cilën ky shtetas ia kishte marrë administratorit të një subjekti privat.
Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore./abcnews.al

