U aksidentua në rrugën e Arbrit, drejtuesit e policisë vizitojnë efektivin në spital

schedule20:49 - 19 Nëntor, 2021

schedule 20:49 - 19 Nëntor, 2021

Drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë vizituar në spital efektivin e policisë Selami Lusha i cili u aksidentua mesditën e sotme në rrugën e Arbrit. Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano i shoqëruar nga drejtori për Sigurinë Publike Rebani Jaupaj bashkë me mjekun Skënder Brataj panë nga afër gjendjen e Lushtakut, duke i uruar shërim të shpejtë.

Njoftimi i policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike Rebani Jaupi, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore Skënder Brata, vizitoi në Spitalin Ushtarak në Tiranë, punonjësin e Policisë Rrugore të DVP Dibër, inspektor Selami Lusha, i cili gjatë kohës së kryerjes së shërbimit me automjetin e Policisë Rrugore u përfshi në një aksident rrugor me një automjet tjetër, në aksin rrugor Bulqizë-Shupenzë, dhe për pasojë u dëmtua rëndë.

Drejtor Nano i ka uruar shërim të shpejtë punonjësit të Policisë Selami Lusha. Gjatë bisedës me familjarët e punonjësit të Policisë, Drejtor Nano u ka ofruar atyre mbështetjen për çdo nevojë dhe nëpërmjet zotit Brataj, është interesuar për t’i ofruar punonjësit të Policisë, por edhe të dëmtuarit tjetër në aksident, shtetasit Z. M., të gjithë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Zoti Brataj ka siguruar Drejtor Nanon se të dy pacientët do të kenë ndihmën maksimale mjekësore, duke theksuar se të dy pacientët tashmë nuk kanë më rrezik për jetën.

Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka vizituar edhe drejtuesin e automjetit tjetër të përfshirë në aksident, shtetasin Z. M., të cilit i ka uruar shërim të shpejtë. Gjatë bisedës me familjarët, Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se e rëndësishme është që kanë shpëtuar jetën. Gjithashtu ka theksuar që të jenë të qetë përsa i përket veprimeve që po kryen grupi hetimor, pasi nuk do të ketë anshmëri në kryerjen e ekspertizës, për të përcaktuar fajësinë e ndodhjes së aksidentit.

Që në momentet e para të aksidentit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano është interesuar për dërgimin e helikopterit për të transportuar punonjësin e Policisë që ishte në gjendje më të rëndë, pasi drejtuesi i mjetit tjetër që ishte në gjendje më të mire është transportuar drejt Tiranës me autoambulancë. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!