Një histori abuzimi seksual me një vajzë të mitur ka tronditur qytetin e Sarandës gjatë ditës së djeshme.
Policia arrestoi dje 72 vjeçarin Bajram Tusha me akuzën e abuzimit seksual me një të mitur.
Gazetarja Xhensila Kodra ka siguruar për abcnews.al dëshminë e vajzës së abuzuar, nga e cila duket se kemi të bëjmë një histori të gjatë abuzimi për shkak të raporteve të mira familjare mes prindërve të vajzës dhe abuzuesit të moshuar.
Gjithçka u zbulua pas një sherri mes krushqëve për fejesën e vajzës.
Sipas vajzës, sot 17 vjeçe, historia e abuzimit ka ndodhur të paktën 8 vite më parë kur familja e vajzës, shkon të jetojë me qira në shtëpinë e të moshuarit Bajram.
Ky i fundit jetonte vetëm në shtëpi pasi bashkëshortja i kishte ndërruar jetë, ndërsa fëmijët ishin në emigracion.
Duke iu dhimbsur për shkak të gjendjes së tij të vetmuar, por nisur edhe nga fakti se po jetonin në banesën e të moshuarit, familja e vajzës e ndihmonte atë shpesh me punët e shtëpisë.
Siç deklaron vajza, ajo dhe nëna shkonin shpesh ta ndihmonin.
“Shpesh shkonim me mamin, por ndonjëherë më dërgonin edhe mua vetëm t’i bëja punët e shtëpisë”, është shprehur vajza për OPGJ-të na Sarandë.
Pikërisht ky është momenti kur ka filluar abuzimi ndaj saj prej të moshuarit, sipas vajzës. Ajo ishte vetëm 9 vjeçe, kurse ai 64 vjeç, në atë kohë.
E pyetur se përse nuk ka denoncuar më parë, vajza është shprehur se nuk e ka bërë një gjë të tillë pasi besonte se prindërit nuk do ta mbështesnin për shkak të miqësisë me familjen e të moshuarit.
Lexo edhe: EMRI/ Abuzoi me të miturën, arrestohet 72-vjeçari në Sarandë
Gjithçka u zbulua pasi vajza po shkonte drejt fejesës me një djalë nag Saranda, i cili ishte në dijeni për abuzimin ndaj saj dhe i kishte kërkuar vazhdimisht që të denonconte. Megjithatë, e mitura ka hezituar gjithnjë që ta bëjë diçka të tillë.
Por, disa ditë më parë prindërit e vajzës dhe të djalit përfundojnë në komisariatin e policisë së Sarandës pas një sherri mes tyre për shkak të dashurisë mes të rinjve. Prindërit e djalit nuk donin që ai të fejohej me 17 vjeçarën, pasi sipas tyre familja e saj ishte mjaft e varfër.
Siç mëson abcnews.al, në debat e sipër mes tyre në komisariat është përmendur edhe abuzimi i vajzës nga i moshuari duke bërë që kjo e fundit të bëjë edhe kallëzimin ndaj tij.
Fill pas kallëzimit, policia ka arrestuar të moshuarin, tashmë 72 vjeç duke marrë edhe dëshminë e tij për historinë e abuzimit.
Abcnews.al mëson se i moshuari ka pranuar abuzimin ndaj vajzës, por sipas tij kjo ka ndodhur kur ajo ishte më e rritur dhe jo 9 vjeçe.
Pas dëshmive që nuk korrespondojnë, policia ka kërkuar ndihmën e mjekëve, të cilët do të përcaktojnë moshën se kur është abuzuar e mitura.
Ndërkohë, janë marrë në pyetje mësuesja kujdestare dhe shokët e vajzës së abuzuar, të cilët janë shprehur se e kanë parë të moshuarin të vinte në shkollë për t’u interesuar për ecurinë e saj në mësime duke u prezantuar si një i afërm i familjes. /abcnews.al