Tusk: Në ferr kush promovon një Brexit pa marrëveshje!

schedule19:58 - 6 Shkurt, 2019

schedule 19:58 - 6 Shkurt, 2019

Brukseli ka acaruar Londrën me deklaratën e radhës në lidhje me Breksit. Përfaqësuesit e BE-së i kanë uruar ferrin zyrtarëve britanikë që insistojnë për një Breksit pa marrëveshje, ndërsa kanë përsëritur se pakti i arritur nuk mund të preket. E irrituar ka reaguar klasa politike në Londër.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ka ashpërsuar gjuhën ndaj asaj pjese të klasës politike në Mbretërinë e Bashkuar që propozon një Breksit pa marrëveshje. “Iu uroj të gjejnë një vend në ferr atyre që promovuan një Breksit pa një copëz akordi për të patur një proces të kontrolluar”, ka deklaruar Tusk pas një takimi me kryeministrin irlandez Leo Varadkar në Bruksel.

Në përfundim të konferencës për shtyp, kreu i qeverisë irlandeze e paralajmëroi Tusk se do të përballej me shtypin britanik për atë që kishte thënë, por zyrtari i lartë europian e priti paralajmërimin me një të qeshur.

Dhe në fakt, reagimet nga Londra nuk munguan. Komentuesit e akuzuan zotin Tusk për arrogancë. Një zëdhënës i qeverisë britanike i bëri thirrje presidentit të KE të mendohet mirë nëse një gjuhë e tillë i shërben marrëdhënieve dypalëshe.

“Ne mbajtëm një referendum të fuqishëm dhe në atë që ishte ushtrimi më i madh i demokracisë në historinë e vendit tonë qytetarët votuan pro largimit nga BE”, deklaroi zëdhënësi i Theresa Mej.

Ndërsa ish-lideri i JUKIP, Najxhel Farazh reagoi në Tëitter duke thënë: “Pas Breksit do të çlirohemi nga zyrtarë të pazgjedhur dhe arrogantë si ty dhe do të vetëqeverisim vendin tonë”. Por reagimet e ligjvënësve britanikë nuk kanë ndikuar shumë tek Brukseli, që edhe njëherë përsëriti se nuk do të ketë negociata të reja për Breksit. Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker deklaroi të mërkurën se do t’ia bëjë të qartë këtë kryeministres Mej gjatë vizitës së saj në Bruksel ditën e enjte. “Breksit nuk është një çështje dypalëshe mes Republikës së Irlandës dhe Britanisë. Është një çështje europiane, ndaj dhe ne nuk mund ta pranojmë idenë për të rihapur marrëveshjen e tërheqjes”, deklaroi Junker pas takimit me kryeministrin e Irlandës./abcnews.al