Tushemishti në projektin “100 fshatrat”, Rama: Do të ketë edhe “Lungogjol”

schedule20:40 - 9 Shkurt, 2019

schedule 20:40 - 9 Shkurt, 2019

Tushemishti është pjesë e projektit 100 fshatrat që synohet të kthehet në një model të zhvillimit ekonomik. Krahas ndërhyrjes në rrugë dhe krijimit të një parkingu të madh kryeministri Edi Rama tha se Tushemishti do ketë edhe një lungogjol.

Tushemishti është një fshat i pashfrytëzuar për potencialin turistik që ka. Së shpejti do të nisë zbatimi i një projekti që po hartohet me kujdes tha kryeministri Edi Rama. Ai tha se është rënë dakord edhe me arkitektët e urbanistët e angazhuar që projekti i sapo prezantuar të jetë pjesa fundore e një zhvillimi që duhet të lidhë, edhe hyrjen e Pogradecit me shëtitoren.

“Pra të kemi një Lungogjol, siç e ka pagëzuar i paepuri Eduard Shalsi, që të karakterizojë fort nga pikëpamja e identitetit turistik të gjithë bregun e anës sonë të liqenit, duke pasur parasysh pastaj edhe faktin që një segment i posaçëm, natyrisht i shkëputur, i kësaj linje identitare do të jetë dhe segmenti që do të ndërtohet në Lin”.

Ky nuk është një program ndërtimi rrugësh rurale, por është një program energjizimi i të gjitha atyre pikave dhe të gjithë atyre komponentëve që e bëjnë të veçantë fshatin shqiptar tha kryeministri Rama i cili i kërkoi banorëve të Pogradecit që të shohin gjysmën plot të gotës që i ofron qeveria.

“Se përndryshe nga sa mund të duket për shkak se ne nuk kemi edhe drejtimin e bashkisë së Pogradecit, kemi qenë e jemi shumë të vëmendshëm dhe shumë të angazhuar që, jo vetëm kjo zonë e bekuar të mos mbetet mbrapa, por përkundrazi dhe rruga e hyrjes në Pogradec është vetëm një shprehje e këtij angazhimi, ndërkohë që të gjitha këto projekte presin edhe fundin e qershorit për të marrë dhe atë si të thuash fuqinë e domosdoshme ekzekutive të një sinergjie të re, mes qeverisë dhe pushtetit vendor”.

Fshati Tushemisht në Pogradec është pjesë e projektit të “100 fshatrave turistikë” në Shqipëri. /abcnews.al