Turqia trembet nga Shqipëria, trajneri Gynesh: Ta kishim nisur me Francën

schedule16:07 - 21 Mars, 2019

schedule 16:07 - 21 Mars, 2019

Kombëtarja e Turqisë synon sukses në Shkodër dhe kualifikim për në Evropian, por i trembet ndeshjeve ndaj Shqipërisë dhe Moldovës. Trajneri Gynesh thotë se do të kishte dashur të luante ndaj Francës.

Drejt Shqipërisë vjen padyshim me besim. Kombëtarja turke mund të cilësohet favorite përballë rivalit të vogël ballkanas, ndonëse trajneri i ri, Shenol Gynesh, nuk është plotësisht i qetë.

Ekipi i tij, që përshkoi itinerarin Stamboll-Tiranë-Shkodër, mund të dëmtohet nga mbivlerësimi në prag të ndeshjes së eliminatoreve të Evropianit.

Gynesh, që ndodhet për herë të dytë në stolin e turqve, e bëri shumë të qartë mendimin e tij, kur doli përpara gazetarëve në Stamboll.

“Ndeshjet ndaj Shqipërisë dhe Moldovës duken të lehta në letër, – tha ai, – por, do të kisha preferuar që ta kishim nisur ndaj Francës. Do të kishim avantazhin për t’i ndrequr gjërat edhe nëse do të kishim humbur. Unë jam këtu që Turqia të kualifikohet për në Evropian dhe pastaj për në Botëror. Ne kemi një ëndërr dhe dua që kombëtarja t’i bëjë tifozët krenarë”.

Turqisë i mungon ylli i Romës, Xhengiz Ynder, i cili është i dëmtuar, por padyshim ajo ka alternativa të tjera.

Po ashtu mungon Irfan Xhan Kahvexhi i Istanbul Bashaksehirit, që u dëmtua dhe u largua nga kombëtarja

Mediat turke informojnë se Gyneshi e ka përcaktuar formacionin, në të cilin pritet të luajnë portieri i Istabul Bashaksehirit, Mert Gynok, lojtarë të Beshiktashit, Fenerbahçes, Sasuolos në Itali, Çalhanoglu i Milanit, apo veterani Emre Belozoglu, por gjithashtu bie në sy mbrojtësi 18-vjeçar, Ozan Kabak, që luan në Bundesligë me Shtutgartin.

Pikërisht, ai foli përpara nisjes drejt Shqipërisë, duke vlerësuar se ishte nder i madh që mund t’i besohej formacioni, dhe se kishte shpresë se Turqia do t’ia dilte në dy ndeshjet eliminatore të radhës.

Kjo do të jetë ndeshja e 11-të mes dy kombëtareve, që kanë bilanc të barabartë, me nga 4 fitore secila, por me golaverazh më të mirë për Shqipërinë, me 14 gola të shënuar e 10 të pësuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!