Turqia reagoi për fitoren e Joe Biden me komente asnjanëse. Zëvendës Presidenti Fuat Oktay tha se kjo nuk do t’i ndryshojë marrëdhëniet midis dy aleatëve të vjetër edhe pse Ankaraja do të vazhdojë t’i bëjë presion Uashingtonit për Sirinë dhe për çështje të tjera ku ka diferenca politike.
Turqia mund të humbasë më shumë sesa shumë vende të tjera nga fitorja e Biden, pasi ai pritet të ashpërsojë qëndrimin e SHBA kundër ndërhyrjeve ushtarake jashtë vendit të presidentit Reccep Tayyip Erdogan dhe forcimit të bashkëpunimit të tij me Rusinë.
Një tjetër pengesë kryesore është refuzimi i Uashingtonit për të ekstraduar klerikun mysliman me banim në SHBA, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja thotë se orkestroi një grusht shteti të dështuar në vitin 2016.
“Asgjë nuk do të ndryshojë për Turqinë,” tha Oktay. “Komunikimi do të funksionojë si më parë, por sigurisht që do të ketë një periudhë tranzicioni,” tha ai, duke shtuar se Ankaraja do të vëzhgojë nga afër qasjen e Biden në politikën e jashtme.
Ai tha se Turqia do t’i bënte presion administratës së ardhshme të SHBA-së që të heqë dorë nga mbështetja për grupet militante kurde në Siri dhe që të ekstradojë Gulenin.
“Ne përjetuam një përpjekje për grusht shteti. Personi që e bëri këtë ndodhet në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka asgjë më të natyrshme se sa kërkimi i ekstradimit të tij,” tha Oktay.” Ky është një proces që filloi më herët dhe do të vazhdojë me këtë administratë,” shtoi ai.
Një çështje tjetër që mbetet pa u zgjidhur midis dy aleatëve është blerja nga Turqia e sistemeve ruse të mbrojtjes nga raketat, për të cilat Ankaraja përballet me sanksione nga SHBA-ja. Administrata e Presidentit Trump deri tani ka shmangur vendosjen e sanksioneve. Oktay tha të dielën se Ankaraja shpresonte që edhe administrata Biden të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm. Presidenti Erdogan ende nuk ka komentuar për fitoren e Biden./ abcnews.al