Turqia, një fuqi e butë në Ballkan dhe një fuqi e fortë në Kaukaz

schedule12:54 - 12 Shkurt, 2021

schedule 12:54 - 12 Shkurt, 2021

Nga Clare Nuttall IntelliNews                                                                                                

Qëkur kryeministri i një shteti të vogël ballkanik vizitoi Ankaranë në janar, marrëdhëniet me Turqinë kanë mbetur kryefjala e diskutimeve në Shqipëri. Takimi i Edi Ramës me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, u shoqëria me një marrëveshje për të përmirësuar lidhjet midis 2vendeve  në një “partneritet strategjik”, me një premtim për të mbështetur një bashkëpunimin më të madh midis Turqisë dhe Shqipërisë në çdo fushë.

Presidenti turk përmendi në mënyrë specifike investimet në infrastrukturë dhe turizëm. Pak më vonë, Rama vizitoi kantierin e ndërtimit të spitalit të ri turk në qytetin e Fierit. Ndërtimi pritet të përfundojë brenda 3 muajsh, një tjetër premtim i Erdoganit i bërë gjatë vizitës së Ramës në janar në kryeqytetin turk, ku ky i fundit ka bërë krahasime midis përparimit të shpejtë të projektit turk dhe mungesën së ndihmës nga BE për sigurimin e vaksinave të koronavirusit për Ballkanin Perëndimor.

Pastaj në fillim të këtij muaji, Turqia ishte sërish në titujt kryesorë të mediave, kur kryetari i parlamentit turk Mustafa Sento vizitoi kryeqytetin shqiptar më 4 shkurt. Turqia është tashmë një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë – një pozicion që ajo e ka në shumicën e vendeve në Evropën Juglindore, si ekonomia më e madhe e rajonit deri tani, me një PBB prej rreth 750 miliardë dollarë – ku ka kryer rreth 2.5 miliard dollarë  investime në vend, dhe ku kompanitë turke punësojnë mbi 10.000 njerëz.

Një prej tyre është Calik Holding, që operon në sektorët e energjisë, minierave, ndërtimit, financave dhe komunikimit. Kompanitë turke, kanë investuar gjithashtu tek banka e dytë më e madhe në Shqipëri, BKT, hidrocentralet, në një uzinë të shkrirjes së metaleve,si dhe në kompaninë e sapo-formuar ajrore shqiptare “Air Albania”.

Një situatë e ngjashme është edhe në të gjitha vendet e rajonin. Kompanitë turke, kanë qenë veçanërisht aktive në sektorin e infrastrukturës. Dy aeroporte maqedonase në Shkup dhe Ohër drejtohen nga Turkish TAV Airports Holding, ndërsa aeroporti i Prishtinës menaxhohet nga konsorciumi turko-francez Limak & Lyon, sipas një marrëveshje koncesionare.

Në sektorin e rrugëve, ndërmarrja e përbashkët SHBA-Turqi, Bechtel-Enka, ndërtoi autostradën që lidh Kosovën dhe Shqipërinë, ndërsa Tasyapi po ndërton dy pjesë të autostradës Beograd-Sarajevë. Në Maqedoninë e Veriut, kompanitë turke janë shumë të përfshira në pasuritë e paluajtshme.

Cevahir Holding ndërtoi Cevahir Sky City, 4 kulla që janë për momentin godinat më të larta në vend. Limak po ndërton hotelin luksoz Limak Skopje Luxury dhe kompleksin multifunksional Diamond Skopje në qendër të Shkupit. Ndërkohë Migros Ticaret, hapi qendrën e parë tregtare në Shkup, si dhe supermarketet e rrjetit Ramstore në të gjithë vendin.

Marrëdhëniet e ngushta midis Turqisë dhe shumicës së vendeve të Ballkanit, sidomos ato me popullsi të madhe myslimane, burojnë jo vetëm nga ndikimi ekonomik turk, por edhe nga historia e tyre e gjatë e përbashkët.

Pjesa më e madhe e Gadishullit Ballkanik, ishte pjesë e perandorisë Osmane për disa qindra vjet. Kjo gjë ka lënë si trashëgimi pakica turke në disa vende, dhe shumicën e popullatave myslimane në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë, si dhe ndikimet turke në kulturë, arkitekturë dhe kuzhinë.

Ndërsa prioriteti i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në Bashkimin Evropian, kriza ekonomike globale e një dekade më parë,detyroi qeveritë dhe bizneset të krijojnë një rrjet më të gjerë lidhjesh në kërkim të investimeve, duke parë nga lindja drejt Turqisë, Azerbajxhanit dhe Lindjes së Mesme, po ashtu edhe nga Perëndimi.

Kjo tendencë nuk është e kufizuar vetëm tek vendet myslimane me shumicë myslimane. Kështu ekonomitë më të mëdha të rajonit si Bullgaria, Rumania dhe Serbia, janë që të gjitha destinacione të investimeve turke. Në fakt një nga investimet më të rëndësishme në rajon është gazsjellësi “TurkStream” që transporton gazin rus përmes Detit të Zi për në Turqi; teksa ai do të kalojë në Perëndim përmes degëzimeve të projektit në Bullgari, Serbi dhe vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Ky gazsjellës ka bërë që Turqia të shndërrohet në një qendër të re tranziti të gazit për rajonin. Përtej kësaj është fuqia e butë e ushtruar nga Turqia në rajon, jo vetëm përmes projekteve si spitali i ri në qytetin e Fierit në Shqipëri. Në fakt, Turqia ka ndihmuar të gjitha vendete rajonit gjatë pandemisë aktuale.

Ajo ka financuar gjithashtu ndërtimin e xhamive, ndërsa financon gjithashtu ngritjen e shkollave dhe programeve të ndryshme kulturore. Por siç argumentoi Yigal Chazan i qendrës së konsulencës ALACO në një artikull për “IntelliNews”, synimi i presidentit turk duket të jetë më “pragmatik dhe taktik” sesa ekspansionist. Për më tepër, një dokument i vitit 2019  nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR), argumenton se “aftësia e Turqisë për të zbatuar çdo lloj strategjie ekspansioniste në rajon është thjesht inekzistente”.

“Por, Turqia është shfaqur si një lojtaree spikatur në Ballkan në dekadën e kaluar, dhe ndikimi i saj ekonomik dhe politik është rritur që nga fundi i luftërave ballkanike të viteve 1990. Është e vërtetë, Ankaraja e sheh Ballkanin si pjesë të oborrit të saj gjeografik dhe emocional:Shumë qytetarë të Turqisë, kanë paraardhës që shkuan në Anadoll gjatë luftërave Ballkanike të fillimit të shekullit XX. Por udhëheqësit turq dhe evropianë, e kanë ekzagjeruar shumë fuqinë dhe synimet e vendit”-thuhej në atë studim, duke argumentuar se ndërsa Turqia po forcon marrëdhëniet e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor, ajo nuk po përpiqet t’i largojë ato nga BE apo të veprojë si një kundërpeshë ndaj Rusisë.

Gjithsesi, raportet midis Ankarasë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk janë fare pa mosmarrëveshje. Një nga çështjet më të diskutueshme janë kërkesat e Ankarasë për ekstradimin e mësuesve që punojnë në shkollat e financuara nga lëvizja Gyleniste, e udhëhequr nga kleriku turk Fetyllah Gulen me banim në SHBA, të cilin Turqia e konsideron si një organizatë terroriste (Gylen e hedh poshtë këtë akuzë).

Dëbimet e mësuesve turq nga Kosova dhe Moldavia, shkaktuan debate të forta politike në të dyja vendet. Ndërkohë, Shqipëria mbylli tre shkolla Gyleniste pas presionit nga Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, ndërsa Sentop njoftoi gjatë vizitës së tij në Tiranë se prokurorët shqiptarë po hetonin lëvizjen, pasi Ankaraja e akuzon lëvizjen Gyleniste për pastrim parash.

Ndërkohë investimet turke janë shumë të dukshme edhe në gjithë Azinë Qendrore, nga projektet e mëdha të pasurive të patundshme tek ato infrastrukturore, ku ka një rivalitet të madh me Rusinë. Ndërsa ndikimi i Ankarasë në Azinë Qendrore është i kufizuar, Turqia është partneri i parë i huaj dhe aleati më i afërt i Azerbajxhanit.

Kjo e ka bërë Turqinë mbështetësen më të patundur të Azerbajxhanit në konfliktin e saj të gjatë me Armeninë për enklavën e Nago-Karabakut, një konflikt që shpërtheu në luftë në vjeshtën e vitit 2020. Moska ka një marrëdhënie komplekse – herë bashkëpunuese, herë konkurruese – me Turqinë.

Që nga zgjedhja e Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, Erdogan ka marrë një ton më pajtues si ndaj Uashingtonit ashtu edhe Brukselit. Erdogan ka deklaruar se dëshiron të “çelë një faqe të re” në marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian, dhe ka biseduar për ndërmarrjen e hapave në negociatat e pranimit të vendit të bllokuara gjatë.

Ndërkohë, Turqia rifilloi në janar bisedimet me Greqinë për kufijtë e tyre detarë, pasi rrezikoi vitin e kaluar një përplasje ushtarake, pas përpjekjeve turke për të kërkuar për naftë dhe gaz në zonat e diskutuara të Mesdheut Lindor. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!