Ministri i Mbrojtjes së Turqisë ka reaguar pas shfaqjes së dy minave detare në ujërat turke, të cilat dyshohet se kanë zbritur nga veriu i Detit të Zi për në drejtim të ngushticës së Bosforit.
Ministri Akar tha se ushtria ka vënë në lëvizje anijet dhe helikopterët për të kërkuar nëse ka më mina të tjera që ndodhen pranë ujërave turke në Detin e Zi pas alarmit të dhënë më herët për qindra mina të shkëputura nga brigjet ukrainase pas luftës me Rusinë.
“Anijet dhe helikopterët tanë janë vënë në lëvizje pas shfaqjes së dy minave në brigjet tona”, tha Akar pas mbledhjes me Presidentin Erdogan.
Lexo edhe: Mina detare sovjetike përfundon në Stamboll, dyshohet se erdhi nga Deti i Zi
Akar theksoi se nuk do të ishte e drejtë të flitej për burimin e këtyre minave, nëse janë vendosur nga Ukraina apo Rusia në det, raporton abcnews.al.
Krahas Turqisë, një ditë më parë, u shfaq një tjetër minë detare edhe në Rumani duke bërë që autoritetet të ndërpresin përkohësisht lundrimin në zonën përreth.
Minat e shfaqura në Turqi janë të prodhimit të vjetër sovjetik. /abcnews.al