Turqia ndërton spitalin në Fier, Balluku: Gojët e liga thanë është premtim bosh, kantieri u hap në 23 janar

schedule13:51 - 28 Janar, 2021

schedule 13:51 - 28 Janar, 2021

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, deklaroi se situata e vështirë e koronavirusit, ka detyruar qeverinë që të shtyjë disa vendime.

Balluku thekson se në funksion të parandalimit të Covid-19, qeveria shqiptare ka nxjerrë aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik.

Gjithashtu Balluku tha se Republika e Turqisë është një nga partnerët që nga ndihmuar Shqipërinë për pandeminë Covid, duke përmendur edhe ndërtimin e spitalit rajonal në Fier.

“Gojët e liga e cilësuan projektin e spitalit të Fierit si një premtim bosh, ne provuam me vepra se spitali është bërë realitet pasi kantieri është hapur në datën 23 janar. Procedura përgatitore ka nisur prej ditësh.

Ministria e Shëndetësisë së bashku me partnerët turk ka përfunduar detajimin teknik në lidhje me pajisjet dhe aparaturat që do të instalohen aty. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin dhe Bashkinë e Fierit ka përmbyllur procedurat paraprake për shpronësimin e 12 familjeve mbi pronat në të cilat do të ndërtohet ky spital. Janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet me banorët për angazhimin e ndërsjellë.

Kryeministri Rama është kujdesur vetë për këtë proces dhe ka pasur takim me të gjithë pronarët për të gjetur bashkëpunim. Banorët kanë marrë përsipër mospengimin për fillimin e punimeve mbi tokën e tyre. Falënderoj banorët për mospengimin e këtij projekti madhor. Akti normativ parashikon autorizimin e menjëhershme të Agjencisë për Shpronësim për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve që preken dhe lidhjen e marrëveshjeve përkatëse për llogari të shtetit shqiptar.

Agjencia autorizohet vetëm për negocimin e afateve dhe skematikës kohore të përfitimit të kompensimit dhe në asnjë rast për vlerën së tij dhe pronarët do të kompensohen në bazë të çmimit të përcaktuar në legjislacionin aktual. Sot ju ftoj të gjithëve që ta votoni”, tha Balluku.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!