Turqia duhet të adoptojë euron si monedhë, nëse do që të dalë nga kriza ku është zhytur

schedule10:10 - 4 Dhjetor, 2021

schedule 10:10 - 4 Dhjetor, 2021

Nga Asli Karahan-Ay “Politico.eu

Politikat ekonomike “jo-ortodokse” të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, kanë shkaktuar një situatë serioze në vendin e tij. Turqia po vuan aktualisht nga një krizë e bilancit të pagesave, një varfëri në rritje, nga një papunësi dhe inflacion i lartë.

Deri më tani lira turke ka humbur rreth 70 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit që nga fillimi i këtij viti, dhe rreth 33 për qind e saj vetëm gjatë muajit nëntor. Një zhvlerësim në këtë shkallë, përbën një rrezik jo vetëm për Turqinë, por edhe për fqinjët e saj.

Dhe është në interesin më të mirë të Bashkimit Evropian që të stabilizojë këtë vend, dhe ta ri-ankorojë atë në aleancën perëndimore. Lajmi i mirë është se Brukseli e ka një mjet, të cilin mund ta përdorë për ta arritur këtë synim: euron.

Unioni duhet t’i ofrojë Turqisë mundësinë për të adoptuar pjesërisht euron, pa u bërë një vend anëtar i BE-së, në këmbim të politikave që do të rindërtonin institucionet demokratike të Turqisë, tëcilat aktualisht janë dëmtuar shumë rëndë. Po pse do ta bënte këtë BE-ja?

Sepse, ndonëse Turqia zhytet jo rrallë në kriza politike dhe ekonomike, këtë herë kjo krizë ka të ngjarë të ndikojë edhe tek vetë unioni. Turqia mban aktualisht më shumë emigrantë dhe refugjatë se çdo vend tjetër i botës – 3.6 milionë njerëz – dhe një krizë e thellë ekonomike në Turqi, do të krijojë pothuajse me siguri një valë të re emigrantësh drejt BE-së.

Për më tepër, një marrëveshje e tillë do të sillte edhe avantazhe të rëndësishme për bllokun. Kjo do t’i jepte euros më shumë peshë ndërkombëtare, një objektiv ky strategjik i përmendur shpeshherë, sidomos nëse marrëveshja do të përsëritej më vonë për të stabilizuar aleatët e tjerë rajonalë si Libani, apo ndoshta edhe Ukraina.

Turqia ka një ekonomi të madhe, e cila është e barabartë me afro 5 për qind të PBB-së së eurozonës. Eliminimi i rrezikut të monedhës, do të nxiste flukset dypalëshe të tregtisë dhe investimeve, si dhe do t’i ndihmonte kompanitë evropiane të zgjerojnë praninë e tyre në Turqi, duke punësuar fuqinë punëtore relativisht të lirë, në moshë te re dhe produktive, ndërsa zinxhirët e furnizimit do të zhvendoseshin larg Kinës.

Më e rëndësishmja:lejimi që Turqia të adoptojë euron si monedhën e saj zyrtare, nuk dotë kalonte asnjë nga “vijat e kuqe politike” të Bashkimit Evropian. Ky hap nuk do të nënkuptonte asnjë liri lëvizjeje për turqit në Evropë, asnjë pjesëmarrje të Turqisë në Parlamentin Evropian, apo ndonjë institucion evropian, dhe sigurisht asnjë anëtarësim të plotë në BE.

Po ashtu, marrëveshja në fjalë nuk do të kërkonte ndryshime të traktateve të BE-së, dhe do t’i përshtatej mirë idesë së bllokut për “marrëdhënie të privilegjuara” strategjike. Gjithashtu, ai do të minimizonte rrezikun që Turqia të bëhet një shtet gjithnjë e më islamik dhe i paqëndrueshëm në periferinë e Evropës.

Po çfarë do të thotë të adoptosh pjesërisht euron? Precedenti ligjor për këtë – që quhet ndryshe “marrëveshje monetare” – ekziston tashmë midis BE-së dhe Andorrës dhe San Marinos, dy shtete të vogla që nuk janë pjesë e BE-së, por që ashtu si Turqia, janë pjesë e bashkimit të saj doganor.

Me një marrëveshje monetare, Turqia do të fitonte të drejtën e përdorimit të euros si monedhën zyrtare, dhe do të kishte të drejtën të emetonte monedha euro. Edhe pse kartëmonedhat do të lëshoheshin vetëm nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).

Sipas këtij skenari, BE-ja nuk do të mbulonte borxhin e Turqisë, dhe Ankaraja nuk do të zinte një vend në Këshillin Drejtues të BQE-së, derisa të përmbushte të 5 kriteret e Traktatit të Mastrihtit në lidhje me inflacionin, deficitin buxhetor, raportin e borxhit të qeverisë ndaj PBB-së, kursin e këmbimit, dhe stabilitetin afatgjatë të normave bazë të interesit.

Në realitet, Turqia nuk ka gjasa që t’i përmbahet këtyre kritereve edhe për të paktën një ose dy dekada, ndoshta edhe më gjatë. Dhe nëse dhe kur të ndodhë kjo gjë, përfaqësimi i saj në Këshillin Drejtues të BQE-së do të kufizohej në statusin e vëzhgueses, duke mos i dhënë praktikisht asnjë pushtet mbi politikën monetare.

Në këmbim të lejimit të anëtarësimit të Turqisë në BE vetëm në aspektin monetar, Brukseli duhet të kërkojë reforma demokratike, përfshirë rivendosjen e lirisë së medias (asaj

tradicionale dhe online), lirimin e qindra gazetarëve dhe politikanëve, një rol monitorues mbi zgjedhjet turke, një rikthim të pavarësisë administrative dhe akademike në universitete, dhe privatizimin e bankave shtetërore për të reduktuar korrupsionin dhe nepotizmin.

Po pse do të ishte tërheqëse për Turqinë një marrëveshje e tillë? Sigurisht, ajo do tëhumbiste fleksibilitetin e saj për të zhvlerësuar monedhën e vet, në këmbim të rritjes së konkurrencës për herën tjetër që do të përballet me kriza ekonomike.

Por nga ana tjetër adoptimi i euros do të zgjidhte gjithashtu një sërë problemesh për ekonominë turke, duke eliminuar problemin e saj kronik të inflacionit, dhe duke e bërë vendin një destinacion tërheqës investimi me norma të ulëta interesi, rritje të lartë ekonomike, dhe pa rreziqe valutore.

Për më tepër, ky do të ishte një tranzicion relativisht i lehtë. Rreth 55 për qind e depozitave bankare turke, janë tashmë të shprehura në valuta të huaja, kryesisht në euro dhe dollarë amerikanë. Pas 2 dekadash në bashkimin doganor, tregtia Turqi-BE është tashmë shumë e madhe dhe në rritje të vazhdueshme.

Në vitin 2020, tregtia me BE-në përbënte 41 për qind të eksporteve turke, dhe 33 për qind të importeve të saj. Miratimi i euros, do të përshpejtonte gjithashtu përafrimin e sektorit financiar turk me ligjet dhe rregulloret bankare dhe financiare evropiane, duk e forcuar besueshmërinë e sektorit.

Nëse zbatohet siç duhet, procesi i futjes në përdorim të euros mund të përfundojë në më pak se një vit, në kontrast me procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, që tashmë po zvarritet prej dekadash. Sa për krahasim, kur Ekuadori miratoi përdorimin zyrtar të dollarit amerikan në vitin 2000, monedha vendase sucres pushoi së ekzistuari më pak se 6 muaj më vonë.

Së fundi, adoptimi i euros nga Turqia do të ishte për qëllimet e brendshme politike, një spirancë e fuqishme ekonomike dhe politike, duke simbolizuar biletën e hyrjes së vendit drejt prosperitetit eventual të nivelit evropian.

Pavarësisht se janë kryesisht simbolike dhe pa asnjë ndikim të vërtetë ekonomik, monedhat euro me imazhin e babait themelues të republikës, Mustafa Kemal Ataturk, do të ishin shumë popullore tek turqit. Kjo mund të ndihmonte në kapërcimin e frymës së ashpër nacionaliste në vend.

Shpesh thuhet se nuk duhet lejuar asnjëherë që një krizë të shkojë dëm. Vështirësitë monetare, të Turqisë i japin Brukselit dhe Ankarasë një mundësi të artë për të riparuar një marrëdhënie të dëmtuar, për të thelluar tregtinë e ndërsjelltë, dhe për të forcuar lidhjet ekonomike, duke shmangur fushën e minuar politike, që është anëtarësimi i Turqisë në BE.

BE-ja duhet që ta mirëpresë Turqinë në bashkimin e saj monetar, dhe Turqia duhet të jetë e interesuar për t’u anëtarësuar në të. Nuk ka dyshim se Ataturku do ta kishte miratuar këtë qasje. Dhe me sytë e tij inteligjentë, depërtues dhe buzëqeshjen enigmatike, ai do të dukej shumë bukur në monedhën e euros. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al