Turqia dënon me 15 vjet burg dy nga gjashtë personat e dëbuar nga Kosova

schedule20:39 - 6 Nëntor, 2019

schedule 20:39 - 6 Nëntor, 2019

Dy nga gjashtë personat e dëbuar nga Kosova në Turqi në mars të vitit të kaluar, janë dënuar menga shtatë vjet e gjashtë muaj burgim. lajmi është raportuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

Osman Karakaya dhe Cihan Özkan janë shpallur fajtorë për “pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste”, derisa janë liruar nga akuza,”spiunazh ndërkombëtar”.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e 30-të të Krimeve të Rënda në Stamboll, Karakaya dhe Özkan kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

“Në aktakuzën e përgatitur nga Prokuroria Republikane e Stambollit, gjashtë të dyshuarit, ndër të tjera, ngarkoheshin me akuzat ‘drejtim i një organizate terroriste të armatosur’ dhe ‘Spiunim ndërkombëtar’ dhe për ta ishte kërkuar burgim nga 16 vite e gjashtë muaj deri në 28 vjet”, raportoi Anadolu.

Gjashtë turq ishin dëbuar nga Kosova në Turqi më 29 mars të vitit të kaluar. Autoritetet turke kanë thënë se ata janë pjesëtarë të organizatës FETO, të cilën Ankaraja e konsideron terroriste.

Pesë prej shtetasve turq të dëbuar ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, e lidhur ngushtë me klerikun turk, Fethullah Gylen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për këtë rast, i cili ka identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq. Komisioni ka gjetur shkelje në secilën fazë, që nga revokimi i lejeve të qëndrimit për 6 shtetasit turq e deri te largimi i tyre nga Kosova.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj pati deklaruar atëkohë se nuk ka qenë në dijeni për këtë operacion.

Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar 22 kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës në lidhje me këtë rast. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!