Turqia dëbon tre gazetarë gjermanë, Berlini akuzon Ankaranë

schedule17:36 - 10 Mars, 2019

schedule 17:36 - 10 Mars, 2019

Autoritetet në Turqi kanë dëbuar tre gazetarë gjermanë, një lëvizje kjo që ka shqetësuar Berlinin zyrtar. Qeveria gjermane ka akuzuar Ankaranë se në këtë mënyrë po i merr frymën shtypit të lirë.

Ministri i Jashtëm gjerman ka kritikuar Turqinë për vendimin për të dëbuar tre gazetarë gjermanë. Hajko Mas ka deklaruar se vendimi është i papranueshëm dhe se do të veprojë kundër tij. Tre gazetarëve iu dhanë 10 ditë për të lënë vendin. Është hera e parë që Ankaraja zyrtarisht i heq akreditimin gazetarëve të huaj, duke ngritur shqetësimin për lirinë e shtypit në vend. Pa harruar se disa dhjetëra gazetarë turq u burgosën për lidhje me grushtin e shtetit të korrikut 2016. Në një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore, tre reporterë të gazetës opozitare “Kumhuriet” u dënuan me burg nën akuzën e terrorizmit. Një zëdhënës i presidentit Recep Tajip Erdogan ka mohuar zërat se qeveria po përdor dorë të hekurt ndaj gazetarëve. Dy prej tyre u larguan nga Turqia ditën e diel, ndërsa tjetri ishte larguar më herët. Ata janë Thomas Zajberg i gazetës “Tages shpigel”, Jërg Braze i televizionit ZDF dhe Halil Gylbejaz i televizionit NDR. Në reagimin e tij, ministri Mas shprehu shqetësimin se pa një shtyp kritik nuk ka demokraci të lirë. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë që gazetarët të punojnë pa kufizime, në Turqi dhe kudo tjetër”, deklaroi Mas. Ndërkohë, gazetarë të shumtë në Turqi janë në pritje që t’u kthehet akreditimi për të punuar në këtë vend. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!