Turqia arreston 25 persona lidhur me sulmin në një kishë në Stamboll

schedule08:39 - 2 Shkurt, 2024

schedule 08:39 - 2 Shkurt, 2024

Autoritetet turke zyrtarisht kanë arrestuar 25 të dyshuar lidhur me të shtënat gjatë një shërbese në një kishë në Stamboll fundjavën e kaluar, kur u vra një person.

Sipas ministrit të Drejtësisë, Yilmaz Tunc, në mesin e të arrestuarve janë edhe dy sulmuesit e dyshuar, që paraprakisht ishin kapur nga policia. Dy sulmuesit e dyshuar besohet se kanë lidhje me grupin militant, Shteti Islamik, tha Tunc përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Të dyshuarit kryesorë janë shtetas të huaj, njëri nga Taxhikistani dhe tjetri nga Rusia, ka deklaruar më herët ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

Grupi militant, Shteti Islamik, ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se ai u krye në përgjigje të thirrjes së udhëheqësve të këtij grupi militant për të shënjestruar hebrenjtë dhe të krishterët.

Tunc tha se 25 të dyshuarit po akuzohen për anëtarësim në një organizatë të paligjshme dhe për vrasje të rëndë të paramenduar. Ai shtoi se nëntë të dyshuar të tjerë janë liruar derisa të nisë gjykimi.

Sulmi ndodhi të dielën në mëngjes në kishën katolike italiane, Santa Maria në Stamboll. Një shtetas turk i cili po merrte pjesë në shërbesë – dhe që u shënjestruar nga një sulmues i armatosur – u vra.

Autoritetet kanë thënë se sulmi ka mundur të jetë më vdekjeprurës, por sulmuesve u është bllokuar arma.

IS-i ka kryer një sërë sulmesh në mbarë Turqinë, përfshirë një më 2017 në një klub nate në Stamboll, kur u vranë 39 persona.

Sipas ministrit Yerlikaya, që nga qershori i vitit 2023, autoritetet turke kanë arrestuar 2.086 të dyshuar se kanë lidhje me IS-in./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!