Tre oficerë policie dhe gjashtë anëtarë të Shtetit Islamik u vranë në përplasje me armë gjatë një operacioni në Turqinë veriperëndimore.
Tetë oficerë të tjerë dhe një roje nate u plagosën, u tha gazetarëve Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya. (Ali Jerlikaja)
Ngjarja ndodhi në provincën Yalova (Jalova), në jug të Stambollit, ndërsa policia bastisi një shtëpi ku fshiheshin militantët.
5 gra dhe 6 fëmijë që ndodheshin në banesën e terroristëve u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa forcat speciale nga provinca fqinje e Bursës u dërguan për të përforcuar operacionin.
Ndërsa konfrontimi u përhap në rrugë, pesë shkolla në zonë u mbyllën. Autoritetet gjithashtu ndërprenë furnizimin me gaz natyror dhe energji elektrike si masë paraprake, ndërsa civilëve dhe automjeteve iu ndalua hyrja në lagje.
Siç raportojnë mediat turke, policia kreu operacione edhe në 108 vendndodhje të tjera në gjithsej 15 rajone.
Javën e kaluar, policia turke nisi dhjetëra bastisje, duke ndaluar 115 militantë të grupit ekstremist të cilët dyshohet se po planifikonin sulme gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Zyrtarët thanë se grupi kishte bërë thirrje për veprime, veçanërisht kundër komuniteteve jo muslimane, gjatë festave.
ISIS ka kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse në Turqi vitet e fundit, duke përfshirë të shtënat në një klub nate në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri më 1 janar 2017, ku u vranë 39 persona. / abcnews.al /

