Presidenti turk Recep Taip Erdogan përuroi të hënën aeroportin e ri të Stambollit, që do të jetë ndër më të mëdhenjtë në botë. Në fjalën e tij, Erdogan deklaroi se me nisjen nga puna të strukturës së re, hapësira ajrore europiane do të duhet të reformohet.
Presidenti turk Recep Taip Erdogan përuroi të hënën aeroportin e ri me vlerë 11.7 miliardë dollarë të ndërtuar jashtë Stambollit. Në ceremoninë e mbajtur, Erdogan theksoi se struktura më e madhe në botë e këtij lloji do të menaxhojë rreth 90 milionë pasagjerë në vit. Sidoqoftë, aeroporti do të nisë funksionimin e tij të plotë vetëm janarin e vitit të ardhshëm. Në dy muajt e parë, ai do të përdoret vetëm për fluturime brenda Turqisë dhe drejt Azerbaixhanit dhe Qipros veriore. Në fjalën e tij, Erdogan tha se objekti do të quhet “Aeroporti i Stambollit” dhe do të avancojë integrimin e influencës turke në ekonominë globale.
“Me nisjen e aktivitetit të “Aeroportit të Stambollit”, hapësira ajrore europiane do të duhet të ristrukturohet”, theksoi Erdogan, duke shtuar se struktura do të përdoret për një numër të konsiderueshëm fluturimesh ndërkontinentale. Autoritetet turke e konsiderojnë objektin e ri si pikun e bumit të ndërtimmit që ka udhëhequr rritjen ekonomike gjatë qeverisjes 15-vjeçare të Erdogan. Por ndërtimi i tij është shoqëruar me kritika të shumta për kushtet e punës dhe standardet e sigurisë. Në shkurt, Ministria e Punës deklaroi se 27 punëtorë kishin humbur jetën që nga nisja e punimeve në vitin 2015. Ndërsa muajin e kaluar, policia arrestoi qindra punëtorë që po protestonin për të drejtat e tyre./abcnews.al