Një tërmet i fuqishëm tronditi ditën e sotme qytetin turk të Stambollit. Sipas Autoritetit lokal për Menaxhimin e Emergjencave, lëkundja sizmike ishte me magnitudë 5.8 dhe me epiqendër në detin Marmara. Duke reaguar lidhur me ngjarjen, presidenti Rexhep Taip Erdoan bëri të ditur se 8 persona kanë mbetur të plagosur.
“Sipas autoriteteve përgjegjëse, tërmeti ishte me magnitudë 5.8 ballë dhe pas tij u regjistruan 28 lëkundje të tjera”, deklaroi Erdoan nga aeroporti “Ataturk”, i sapokthyer nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Tërmeti ndodhi rreth orës 13 dhe epiqendra ishte në një thellësi prej 6.9 kilometrash, rreth 22 kilometra larg lokalitetit Silivri. Zona në fjalë u trondit më pas nga lëvizje të tjera sizmike. Ndërkohë, një tjetër tërmet prej 3.6 ballësh tronditi Stambollin në orët e mëngjesit, ndërsa të martën një lëkundje 4.6 ballëshe lëkundi Silivrin. /ABC News Albania 24/7