Turkja që theu tabutë në Peqin/ Sot është zëvendës trajnere në Shqipëri tek Shkumbini

schedule14:29 - 8 Tetor, 2023

schedule 14:29 - 8 Tetor, 2023

Një femër në futbollin e femrave nuk është diçka e zakonshme as në vendet më të zhvilluara. Gjithsesi, ky është një realitet në Shqipëri, dhe jo në qytete të mëdhenj si Tirana, Durrësi, Shkodra apo Vlora, por në Peqin. Quhet Ilknur Aktash, është nga Turqia, dhe do të jetë zëvendës trajnere e ekipit të Kategorisë së Dytë, në krah të trajnerit Hetem Çapja.

“Këtu kam ardhur në sajë të një drejtori teknik në Antalia, i cili pati kontakt me zotin Ali Kasa dhe për dy javë kemi negociuar sesi mund të vija këtu, dhe cilat ishin qëllimet tona. Po ashtu, se çfarë pozicioni mund të kisha këtu. Arritëm një marrëveshje dhe kështu erdha në Shqipëri”, thotë ajo.

Në Peqin thonë se Ilknuri do të krijojë edhe ekipin e femrave.

“Tani, kam ardhur fillimisht si zëvendës trajnere e ekipit të parë, si edhe jam në pozicionin drejtues tek Akademia. Unë kam punuar edhe në Turqi me ekipet e të rriturve. Fillimisht po merremi me ekipin A, më pas do të formojmë edhe ekipin U19 si edhe ekipin e vajzave”.

Si është përshtatur në një qytet të vogël ndërsa vjen nga Stambolli?

“Shqipëria është një vend më i vogël, krahasuar me Turqinë. Por kjo nuk përbën asnjë ndryshim në raport me qytetet ku kam punuar atje. Unë di se si të përshtatem. Këtu më pritën shumë mirë edhe pse nuk ishin mësuar me një trajnere grua, pasi është një pozicion i zotëruar nga burrat. Unë mendoj se mund të jap shumë këtu prandaj jam e lumtur”.

Tifozët shqiptarë padyshim që duan të dinë se cila është karriera e Ilknurit.

“Kam luajtur futboll për 20 vite dhe pas lënies së futbollit nisa punën si trajnere. Ky është sezoni im i shtatë ose i tetë. Kisha licencën B të UEFA-s dhe prej dy vitesh mora edhe licencën A. Kam nisur te Fenerbahçe, me ekipet e akademive. Kam qenë trajnerja e parë grua atje. Kam patur synim që të jem trajnere jashtë shtetit. Dua që ta bëj kampion një ekip të të rriturve. Kur ika nga Turqia, isha nisur për në Spanjë, por plasi pandemia dhe mbeta në Stamboll. Punova me Rizesporin në vendin tim, gjatë kësaj periudhe. Pata një ofertë nga Shqipëria dhe erdha këtu. Shkumbimi ka një të shkuar të rëndësishme, është gati 100 vjet klub, ka arritje edhe me lojtarë të huaj dhe ne duam që ta çojmë përpara këtë ekip. Ky është dhe synimi I karrierës sime për këtë moment”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!